31 Korrik 2025

Monitorimi I Qendrave Të Votimit Për Aksesin E Personave Me Aftësi Të Kufizuar/ Zgjedhje Të Përgjithshme 2025


Monitorimi i qendrave të votimit për aksesin e Personave me Aftësi të Kufizuar/ Zgjedhje të Përgjithshme 2025

 

Monitorimi i qendrave të votimit për aksesin e Personave me Aftësi të Kufizuar/ Zgjedhje të Përgjithshme 2025

 

 

Bazuar në nenin 16 të ligjit nr. 93/2014 “Për përfshirjen dhe aksesueshmërinë e personave me aftësi të kufizuara”, Avokati i Popullit është  një institucion monitorues për zbatimin e këtij ligji në përputhje me Konventën e OKB-së“ Për të drejtat e personave me aftësi të kufizuara”.

Në nenin 29 të Konventës së OKB-së “Për të drejtat e personave me aftësi të kufizuara”, për pjesëmarrjen në jetën politike dhe publike, është përcaktuar se:

  • Shtetet Palë duhet tu garantojnë personave me aftësi të kufizuar të drejtat politike dhe mundësinë për t’i gëzuar ato njësoj si pjesa tjetër e popullësisë dhe duhet të marrin përsipër:

(a) Tu garantojnë personave me aftësi të kufizuar pjesëmarrjen e plotë dhe efektive në jetën politike dhe publike njësoj si gjithë të tjerët, drejtpërsëdrejti apo nëpërmjet përfaqësuesve të zgjedhur, duke përfshirë edhe të drejtën dhe mundësinë e personave me aftësitë kufizuar për të votuar dhe për tu zgjedhur, ndër të tjera duke:

(i) Siguruar që procedurat, facilitetet dhe materialet e votimit të jenë të përshtatshme, të aksesueshme dhe të thjeshta për tu kuptuar dhe përdorur;

(ii) Mbrojtur të drejtën e personave me aftësi të kufizuar për të votuar me votë të fshehtë në zgjedhje dhe referendume publike, pa kërcënim, për të kandiduar në zgjedhje, për të ushtruar funksione publike dhe për të kryer të gjitha funksionet publike në të gjitha nivelet e qeverisë, duke lehtësuar përdorimin e teknologjive asistuese dhe të reja, ne rastet e përshtatshme;

(iii) Garantuar shprehjen e vullnetit të lirë të personave me aftësi të kufizuar si zgjedhës dhe për këtë qëllim, kur është e nevojshme, me kërkesën e tyre, lejohet asistenca në votim nga një person i zgjedhur prej tyre.”

E drejta e votës, për të zgjedhur dhe për t’u zgjedhur, si e drejtë kushtetuese parashikohet shprehimisht në Kushtetutën e Shqipërisë, në nenin 45 të saj, ku thuhet se:

  • Çdo shtetas që ka mbushur tetëmbëdhjetë vjeç, qoftë edhe ditën e zgjedhjeve, ka të drejtën të zgjedhë dhe të zgjidhet” ;

Në ligjin nr. 100129 datë 29.12.2008 “Kodi zgjedhor i Republikës së Shqipërisë”, i ndryshuar, kjo e drejtë kushtetuese rikonfirmohet edhe si parim bazë i këtij kodi si dhe detajohen në mënyrë të qartë mënyrat e ushtrimit të kësaj të drejte. Sipas nenit 3, pika b:

  • “...b) Çdo shtetas shqiptar, që ka mbushur moshën 18 vjeç, qoftë edhe ditën e  zgjedhjeve, pa dallim race, etnie, gjinie, gjuhe, bindje politike, besimi, aftësie fizike ose gjendjeje ekonomike, ka të drejtë të zgjedhë dhe të zgjidhet, në përputhje me rregullat e parashikuara në këtë Kod ”.

Kodi ynë zgjedhor, në nenin 108 të tij, ka përcaktuar procedurat e votimit për zgjedhësit që nuk mund të votojnë, duke filluar që nga regjistrimi në listat e zgjedhësve të qendrës përkatëse të votimit, infrastrukturës së përshtatshme për  lehtësimin e pjesëmarrjes në votime për personat paraplegjike  e tetraplegjike, pajisjen e komisioneve të qendrave të votimit me mjete të posaçme votimi për personat që nuk shikojnë.

 

Inspektimi i qendrave të votimit për të verifikuar në terren përmbushjen e kërkesave ligjore për lehtësimin e aksesit të personave me aftësi të kufizuar në qendrat e votimit.

Avokati i Popullit ka kryer inspektime për evidentimin e problematikave potenciale ekzistuese dhe marrjen e masave të nevojshme, përkatëse për garantimin e së drejtës së votës për personat që përfshihen në kategorinë e personave me aftësi të kufizuar.

Në kuadër të Zgjedhjeve të Përgjithshme 2025, me qëllim krijimin e kushteve të nevojshme që personat më aftësi të kufizuar të ushtrojnë lirisht të drejtën e votës, Institucioni i Avokatit të Popullit, në përputhje me paragrafin e pare të nenit 13 të ligjit nr.8454 datë 04.02.1999 “Për Avokatin e Popullit”, i ndryshuar, filloi me iniciativën e tij këtë çështje.

Rekomandime për njësitë e qeverisjes vendore

Për detyrimin lidhur me garantimin e  së drejtës së votës për personat me aftësi të kufizuar,  në kuadër të Zgjedhjeve të Përgjithshme 2025, në Shqipëri, i jemi drejtuar 61 Bashkive me rekomandimet si më poshtë:

Marrjen e masave për krijimin e kushteve të përshtatshme në qendrat e votimit për personat me aftësi të kufizuara, me qëllim garantimin e ushtrimit lirisht të së drejtës së votës, në Zgjedhjet e Përgjithshme, më datë 11 Maj 2025:

  • Duke identifikuar zgjedhësit me kufizime fizike, të cilët nuk mund të votojnë vetë.
  • Duke identifikuar qendrat e votimit ku votojnë këto zgjedhës dhe organizuar vendosjen e tyre vetëm në katet e poshtëm të tyre.
  • Organizim efektiv i shpërndarjes.
  • Komunikim me Avokatin e Popullit në lidhje me të dhënat e mbledhura.

Nga përgjigjet e ardhura nga disa bashki, konfirmohet fakti i pranimit të rekomandimeve dhe në zbatim të tyre janë marrë masat e nevojshme për garantimin e një procesi zgjedhor gjithëpërfshirës dhe të aksesueshëm.

 

Monitotimi i përshtatshmërisë ndërtimore të personave me aftësi të kufizuara në Qendrat e Votimit.

 

Bazuar në Planin e Aktiviteteve të Seksionit të Përgjithshëm për vitin 2025, miratuar nga Avokatja e Popullit, Zj.Erinda Ballanca, është monitoruar aksesueshmëria në infrastrukturën ndërtimore në qendrat e votimit në disa qytete të Shqipërisë, për personat me aftësi të kufizuar në lëvizje dhe shikim.

Objektivat e monitorimit

Krijimi i kushteve lehtësuese për aksesin e personave me aftësi të kufizuar në Qendrat e Votimit:

  • Vendosja e rampave për invalidët paraplegjikë dhe tetraplegjikë.

 

  • Përshtatshmëria e infrastrukturës (sinjalistika me shirita të verdhë) për personat me aftësi të kufizuar në shikim. 

 

Metodologjia e punës

Grupi i monitorimit të Avokatit të Popullit, ka qenë i përbërë nga Ndihmës/komisionerët e Seksionit të Përgjithshëm dhe përfaqësuesit e Zyrave Rajonale të Avokatit të Popullit në qytetet Shkodër, Kukës, Pogradec, Sarandë, Berat, Vlorë.

  • Inspektimi nga Seksioni i Përgjithshëm në Qendrat e Votimit në disa qytete të Shqipërisë, të aksesueshmërisë në infrastrukturë të personave me aftësi të kufizuar në lëvizje dhe shikim u krye i ndarë në dy grupe.
  • Në njësitë e vetqeverisjes vendore, të cilat kanë një numër më të madh qendrash votimi, krahasimisht me të tjera, numri minimal i përcaktuar për inspektim të mos jetë më i vogël se 15 Qendra Votimi.
  • Përfaqësuesit e Zyrave tona Rajonale kryen inspektim në Qendra Votimi të qarkut përkatës, ku ndodhet Zyra Rajonale. Numri i qendrave të votimit të inspektuara nga ana e tyre, deri në fund të këtij procesi, të mos jetë më pak se 20. Të evidentohen edhe me fotot përkatëse.
  • Të gjitha qendrat e inspektuara në qytete, ku ndodhen Zyrat Rajonale të Avokatit të Popullit do të rinspektohen nga përfaqësuesit rajonalë sërish më datë 11 Maj 2025.
  • Pas përfundimit të inspektimeve të kryera, grupet e punës dhe përfaqësuesit e zyrave rajonale do të përgatisin një informacion përmbledhës me gjetjet përkatëse.

 

 

Monitorimet e kryera nga Seksioni i Përgjithshëm në  Qendra Votimi të vendosura në  institucione shtetërore dhe private në Bashki dhe Njësi Administrative.

 

Vorë, Korçë, Maliq, Ersekë, Rrëshen, Lushnje, Durrës, Kavajë, Rrogozhinë, Elbasan, Librazhd, Cërrik, Belsh, Përmet, Leskovik, Rubik, Milot, Petrelë, Bërzhitë, Dajt, Kashar, Baldushk, Paskuqan, Vaqarr, Farkë, Pezë.

 

Monitorimet e kryera nga përfaqësuesit e Zyrave Rajonale në Qendra Votimi të vendosura në  institucione shtetërore dhe private në Bashki dhe Njësi Administrative.

 

Gjirokastër, Dropull, Sarandë, Delvinë, Konispol, Fier, Vlorë, Pogradec, Shkodër, Sarandë, Shkodër, Malësi e Madhe, Berat, Kuçovë, Poliçan, Dimal, Pogradec, Maliq, Prrenjas, Berat, Kukës, Shkodër, Finiq.   

 

 

Bashki/NJA

Nr. QV

Nr.institucionesh

Me rampe

 

Pa rampe

Sinjalistike per te verbrit

Rrëshen

11

6

6

0

0

Lushnje

52

25

17

8

0

Rubik

4

4

1

3

0

Petrelë

5

4

2

2

0

Bërzhitë

6

4

1

3

0

Durrës

40

14

6

8

0

Kavajë

33

9

6

3

0

Elbasan

25

13

9

4

0

Baldushk

3

3

2

1

0

Cërrik

11

6

4

2

0

Fier

17

5

3

2

0

Milot

8

4

4

0

0

Belsh

3

3

3

0

0

Rrogozhinë

15

8

4

4

0

Gjirokaster

19

8

3

5

0

Finiq

17

15

6

9

0

Konispol

10

6

3

3

0

Delvinë

15

11

8

3

0

Paskuqan

20

5

5

0

0

Përmet

9

6

6

0

0

Vlorë

80

37

24

13

1

Pogradec

94

36

6

30

0

Maliq

9

4

1

3

0

Prrenjas

1

1

1

-

0

Librazhd

6

4

1

4

0

Berat

71

21

14

7

0

Kukës

22

18

5

13

0

Dropull

19

19

6

13

0

Sarandë

52

27

2

25

0

Shkodër

73

30

20

10

0

Ersekë

6

4

2

2

0

Leskovik

4

2

0

2

0

Korçë

57

17

10

7

0

Vaqarr

10

5

3

2

0

Dajt

13

4

3

1

0

Farkë

25

7

5

2

0

Pezë

8

5

4

1

0

Vorë

10

3

1

2

0

Gjithsej

883

403

207

197

1

 

 

Pra, nga monitorimet e kryera në  403 institucione, ku ishin të vendosura  883 QV207 institucione ishin te aksesueshme në katet e para të godinave për personat me aftësi të kufizuar në lëvizje,  pajisur me rampë në hyrje të godinave, ndërsa për  197 institucione mungonte vendosja e rampës për në hyrje të godinave.

E shprehur në përqindje, rezulton se 49%  e institucioneve, nuk kanë akses për personat me aftësi të kufizuar në lëvizje.

Në qendrat e votimit të vendosura në katin e dytë të godinave nuk kishte akses për personat me aftësi të kufizuara, pasi nuk janë të pajisura me ashensor apo rampë të brendshme.

Ndërsa mbetet evidente, si një problematike ende e pazgjidhur në të gjitha institucionet shtetërore, ku ishin të vendosura qendrat e votimit,  mospasja e infrastukturës ndërtimore për personat me aftësi të kufizuar në shikim. Nga monitorimet e kryera, vetëm 1 institucion shtetëror në qytetin e Vlorës (Shërbimi Kombëtar i Punësimit/ Qendra e Formimit Profesional), është pajisur me sinjalistikën e përshtatshme për ta.

Pavarësisht rekomandimeve të dërguara nga institucioni ynë për realizimin e përshtatshmërisë ndërtimore për personat me aftësi të kufizuar në lëvizje dhe shikim,  përsëri konstatuam se nuk është realizuar asnjë vendosje rampe në hyrje të godinave për personat me aftësi të kufizuar në lëvizje, të evidentuara në zgjedhjet e kaluara.

Megjithë shprehjen e gadishmërisë nga ana e drejtuesve si të institucioneve shtetërore qendrore, ashtu edhe atyre vendore për marrjen e masave për realizimin e përshtatshmërisë ndërtimore  për personat me aftësi të kufizuar në shikim, nuk është ndërmarrë asnjë hap për të bërë të mundur qasjen në marrjen e shërbimeve për këto kategori të personave me aftësi të kufizuar.