7 November 2023

Reagim I Avokatit Të Popullit Lidhur Me Rastin E Investiguar Nga Emisioni “Stop” Për Ushtrimin E Dhunës Ndaj Një Të Miture Tre Vjeçare.


Reagim i Avokatit të Popullit lidhur me rastin e investiguar nga Emisioni “Stop” për ushtrimin e dhunës ndaj një të miture tre vjeçare.

Avokati i Popullit ndërmori me iniciativë trajtimin e rastit të publikuar në emisionin investigativ “STOP”, në televizionin kombëtar “Klan” të ushtrimit të dhunës ndaj të miturës 3 vjeçare në kopshtin privat “Stinët”.

 

Për këtë qëllim, me urdhër të znj. Erinda Ballanca, Avokate e Popullit është ngritur grup hetimor multidisiplinar, i përbërë nga punonjës socialë dhe juristë, i cili do të kryejë hetimin administrativ për rastin në fjalë.

 

Ditën e sotme grupi hetimor multidisiplinar do të inspektojë dhe monitorojë të gjitha veprimet dhe mosveprimet e ndërmarra nga institucionet përgjegjëse shtetërore.

 

Avokati i Popullit informon se brenda mandatit kushtetues të tij nuk mund të adresojë rekomandime në subjektet jopublike/private, por do të hetojë mosveprimet e strukturave shtetërore. Në këtë kontekst, Avokati i Popullit thekson se duhet të rishihet mandati i institucionit në funksion të zgjerimit të kompetencave, duke përfshirë edhe sektorin privat.

 

Në përfundim të hetimit administrtativ, institucioni i Avokati të Popullit do të hartojë raportin përfundimtar me rekomandimet përkatëse, për të bërë të mundur kryerjen e misionit kushtetues, mbrojtjen e të drejtave, lirive dhe interesave të ligjshme të fëmijëve nga veprimet ose mosveprimet e paligjshme apo të parregullta të organeve të administratës publike, si dhe të të tretëve që veprojnë për llogari të saj në interesin më të lartë të fëmijës.

 

Avokati i Popullit shpreh vlerësimin e tij për investigimin e kujdesshëm të bërë nga Emisioni “Stop” për zbardhjen e këtij rasti, duke ndihmuar në rritjen e ndërgjegjësimit publik dhe përgjegjshmërisë së autoriteteve përkatëse që të marrin masa për çështjen konkrete si dhe për parandalimin e rasteve të tilla të rënda.