Avokatja E Popullit Të Shqipërisë Solidarizohet Me Kolegun E Greqisë Në Ditën E Ngjarjeve Tragjike Të Zjarreve Masive Dhe I Shpreh Mbështetjen Vendit Fqinj
AVOKATJA E POPULLIT TË SHQIPËRISË SOLIDARIZOHET ME KOLEGUN E GREQISË NË DITËN E NGJARJEVE TRAGJIKE TË ZJARREVE MASIVE DHE I SHPREH MBËSHTETJEN VENDIT FQINJ
Avokatja e Popullit Erinda Ballanca i dërgoi sot një mesazh kolegut të saj grek Andreas Pottakis, në shenjë solidariteti ndaj ngjarjeve tragjike të zjarreve që shkaktuan një numër të madh viktimash civile në vendin fqinj.
“Ju lutem pranoni keqardhjen tonë të ndjerë për humbjet e jetëve, plagosjet apo dëmtimet e pasurive në vendin tuaj si pasojë e zjarreve më të egra në dekadën e fundit”, shkruante në letrën e saj Avokatja e Popullit.
“Lutjet tona janë me ju në këto çaste të vështira. Ndjejmë të njëjtën dhembje dhe shqetësim për njerëzit që mund të jenë prekur në ndonjë mënyrë nga kjo tragjedi”, vazhdonte letra në të cilën theksohej inkurajimi i Shqipërisë dhe institucionit të saj të Avokatit të Popullit që fqinjët tanë të arrijnë ta tejkalojnë këtë moment të vështirë dhe të rikuperojnë pasojat e kësaj katastrofe duke ofruar edhe ndihmën tonë nëse do të ishte e nevojshme.
Në përgjigjen e tij, homologu grek Andreas Pottakis e falënderoi Avokaten e Popullit të Republikës së Shqipërisë për letrën dhe solidaritetin.
“Fjalët tuaja vërtet na japin zemër në këtë moment tragjik, përmasat e të cilit kanë arritur në ato të një fatkeqësie kombëtare”, shkruante zoti Pottakis.