1 February 2018

Avokatja E Popullit Pret Në Takim Ambasadorin E Spanjës Në Vendin Tonë


AVOKATJA E POPULLIT PRET NË TAKIM AMBASADORIN E SPANJËS NË VENDIN TONË

 

Avokatja e Popullit të Shqipërisë, znj.Erinda Ballanca priti sot në një takim ambasadorin e Mbretërisë së Spanjës në vendin tonë z.Vicente Canelles Montero.

Takimi u zhvillua në një klimë të përzemërt dhe miqësore dhe të dy bashkëbiseduesit ndanë pikëpamje të përbashkëta mbi shumë nga temat e diskutimit.

Avokatja e Popullit e njohu ambasadorin spanjoll me prioritetet dhe sfidat që ndesh institucioni i vetëm publik i mbrojtjes së të drejtave të njeriut në Shqipëri.

Ndër temat e cekura nga bashkëbiseduesit ishte nevoja që institucioni i Avokatit të Popullit në Shqipëri të thellojë bashkëpunimin me homologun e vet spanjoll “Defensor del Pueblo”.

Zonja Ballanca theksoi se një pjesë e rëndësishme e punës së institucionit është dhe promovimi i të drejtave të njeriut me një vëmendje të veçantë kushtuar dhunës ndaj grave dhe gjuhës së urrejtjes.

Gjithashtu Avokatja e Popullit shprehu interesim për nxitjen e bashkëpunimit me ekspertë spanjollë për të ndihmuar stafin e institucionit tonë në monitorimin e zbatueshmërisë së konventave ndërkombëtare në të cilat shteti shqiptar është palë.

Avokatja u ndal veçanërisht në të drejtën e pronës, si dhe nevojën e reflektimit të autoriteteve shtetërore rreth zbatimit të vendimeve të Gjykatës Evropiane të të Drejtave të Njeriut.

Ambasadori spanjoll shprehu gatishmërinë për të zhvilluar marrdhëniet e shkëlqyera midis dy vendeve tona dhe konfirmoi dëshirën e mirë për të bashkëpunuar më tej.