23 February 2019

Avokatja E Popullit Merr Pjesë Në Aktivitetet Me Rastin E 20 Vjetorit Të Ombudsmanit Të Greqisë


AVOKATJA E POPULLIT MERR PJESË NË AKTIVITETET ME RASTIN E 20 VJETORIT TË OMBUDSMANIT TË GREQISË

Me rastin e 20 vjetorit të themelimit të institucionit të Ombudsmanit të Greqisë, një delegacion nga institucioni shqiptar i Avokatit të Popullit i kryesuar nga Avokatja Erinda Ballanca mori pjesë dhe zhvilloi takime në Athinë.

Avokatja e Popullit Erinda Ballanca edhe në cilësinë e Presidentes së Ombudsmanëve të Mesdheut zhvilloi takime me kolegë dhe homologë, si dhe mori pjesë në konferencën ndërkombëtare e cila u zhvillua me këtë rast në mjediset e Parlamentit grek.

Gjatë konferencës me temë “Shteti dhe Shoqëria - sfida të të drejtave dhe lirive”, Avokatja e Popullit të Shqipërisë, mbajti një fjalë në lidhje me lirinë e shprehjes në internet dhe abuzimin me të.
Ndër të tjera, Avokatja Erinda Ballanca u shpreh:

“Liria e shprehjes është një nga të drejtat dhe liritë themelore të njeriut dhe një gur themeli, mbi të cilin ngrihet vetë ekzistenca e një shoqërie demokratike. Si e tillë ajo është afirmuar në Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë dhe në një sërë aktesh të rëndësishme ndërkombëtare të të drejtave të njeriut, si Deklarata Universale e të Drejtave të Njeriut, Konventa Evropiane për të Drejtat e Njeriut, Konventa Amerikane e të Drejtave të Njeriut dhe Karta Afrikane e të Drejtave të Njeriut dhe të Njerëzve. Megjithëse, Kushtetuta nuk jep një përkufizim dhe kuptim të përgjithshëm të kësaj lirie themelore, në Konventën Evropiane për të Drejtat e Njeriut, kjo çështje rregullohet në paragrafin e parë të nenit 10, ku ndër të tjera thuhet se; “Çdokush ka të drejtën e lirisë së shprehjes. Kjo e drejtë përfshin lirinë e mendimit dhe lirinë për të marrë ose për të dhënë informacione dhe ide, pa ndërhyrjen e autoriteteve publike dhe pa marrë parasysh kufijtë”.

Në këtë kuptim, liria për të dhënë informacion dhe mendime është një komponent shumë i rëndësishëm i lirisë së shprehjes, për jetën politike dhe strukturën demokratike të një vendi, që sidoqoftë njeh kufizime të cilat bazohen në censurën paraprake të publikimit të informacioneve që cënojnë të drejta të tjera të njeriut.
Aksesi në internet tashmë konsiderohet si një e drejtë themelore e njeriut, e lidhur ngushtë me lirinë e shprehjes, ndaj edhe në këto kushte, vendi ynë ka garantuar me ligj aksesin në internet. Por në logjikën e problematikës edhe ky akses mund të kufizohet, për të mbrojtur sigurinë kombëtare, nxitjen e terrorizmit, shëndetin publik, apo në gjendjet e emergjencave civile, për ndalimin e materialeve me përmbajtje kriminale (pornografia jo adulte), raciste, ksenofobike dhe të gjuhës së urrejtjes, mbrojtjen e të dhënave e personale, privatësisë etj. Kufizimi i aksesit, do të thotë kufizim i përdorimit të internetit nga ana e përdoruesve të tij, si në kuptim të marrjes së informacionit që mund të gjendet i ruajtur në të, ashtu edhe të publikimit të informacionit individual përmes tij.

Konteksti i kufizimit diskutohet ndër të tjera, kur në plan të parë vjen respektimi i jetës private dhe familjare si një e drejtë themelore e njeriut, e afirmuar fuqishëm në kohët moderne dhe e lidhur ngushtë me konceptet e privatësisë, autonomisë individuale, dinjitetit, individualitetit dhe integritetit.

E drejta për jetë private dhe familjare, sikurse liria e shprehjes, mbrohet nga Kushtetuta e Republikës së Shqipërisë dhe një sërë aktesh ndërkombëtare, si Deklarata Universale e të Drejtave të Njeriut, Konventa Ndërkombëtare mbi të Drejtat Civile dhe Politike, Konventa e Kombeve të Bashkuara për Punëtorët Migrantë, Konventa e Kombeve të Bashkuara për Mbrojtjen e Fëmijës, dhe Konventa Europiane e të Drejtave të Njeriut etj. Padyshim një rol të pazëvendësueshëm në kuptimin dhe mbrojtjen e kësaj të drejte, ka luajtur dhe luan Gjykata e Strasburgut, që megjithëse nuk ka ofruar një përkufizim të qartë dhe të saktë të asaj që nënkuptohet me jetën private, mban qëndrimin se, nocioni i jetës private është shumë i gjerë dhe përfshin një sferë në të cilën çdo individ mund të zhvillohet lirisht dhe të përmbushë personalitetin e tij, si në raport me të tjerët dhe me botën e jashtme.

Një aspekt i rëndësishëm i çdo regjimi të mbrojtjes së jetës private dhe familjare është mbikqyrja që në më të shumtat e vendeve ku është në fuqi një legjislacion specifik për këtë të drejtë, ushtrohet nga një strukturë organesh që mbikqyrin zbatimin e këtij legjislacioni.

Si drejtues i një institucioni të pavarur kushtetues, të krijuar për mbrojtjen e lirive themelore dhe të drejtave të njeriut, përfshirë këtu lirinë e shprehjes dhe të drejtën për jetë private dhe familjare, vlerësoj së realiteti i krijuar tashmë në raportin mes këtyre të drejtave dhe përdorimit të internetit kërkon një rregullim të nevojshëm ligjor, për të siguruar pikërisht përmbajtjen e rregullt të informacioneve të gjendura, apo publikuara në faqe të ndryshme të internetit.

Një bazë normuese adekuate, si kufizim ligjor, për rregullimin e përmbajtjes përkatëse në “ëebsite”, në Internet, është e nevojshme në Shqipëri dhe duhet përcaktuar në përputhje me nenin 17, të Kushtetutës, por edhe me nenin 10, të Konventës Europiane të të Drejtave të Njeriut, duke respektuar kriteret e vendosura në to.
Shumë vende e kanë rregulluar këtë aspekt, duke bllokuar me ligj aksesin në “ëebsite” që përmbajnë informacione të kundërligjshme, apo të dëmshme, por megjithatë vendi ynë nuk bën pjesë në to.

Duke treguar kujdesin maksimal në rregullimin e raportit të brishtë mes lirisë së shprehjes në internet dhe mbrojtjes së të drejtave dhe lirive të tjera të njeriut, mendoj se është e nevojshme që të evitohet fryma e politikave bllokuese shtetërore për informacionin e gjendur në internet, me impakt serioz mbi lirinë e shprehjes, dhe respektimin thelbësisht të kritereve të kufizimit të të drejtave themelore të njeriut, të përcaktuara në Kushtetutë dhe në Konventën Europiane të të Drejtave të Njeriut.

Për më tepër, mendoj se bllokimi i informacioneve të kundërligjshme, apo të dëmshme në internet, përmës kufizimit të tyre, të mos kthehet në qëllim në vetvete, por të vlerësohet si një masë fundore rast pas rasti.

Gjetja e mekanizmave teknikë për bllokimin, apo filtrimin e materialeve “on line” është një proces komplementar, i cili detyrimisht duhet të paraprihet nga një bazë e mirë ligjore për kufizimin e lirisë së shprehjes në internet.

Kjo masë ka karakter parandalues dhe nuk mund të zëvendësojë sidoqoftë, masat penalizuese që ekzistojnë në legjislacionin tonë penal, në fuqi.
Vetëm kështu do të mund të flasim për një “lojë me rregulla”, ku ai që gabon me ndërgjegje, mund edhe të penalizohet, pasi i ka shkaktuar dëm një pale tjetër.
Gjithkush që mund të lexojë këtë shkrim besoj se do të ketë reflektimet e veta, duke ngritur pikepyetje të shumta, apo edhe diskutime se si mund të realizohet kjo ndërhyrje.

Unë personalisht në pozicionin tim institucional, por edhe si qytetar i quaj këto rreshta një mesazh për median, përdoruesit e internetit, legjislatorët dhe për çdo qytetar në këtë vend, për të reflektuar dhe për të kërkuar nga vetja dhe të tjerët, respektimin e lirive dhe të drejtave të gjithkujt, brenda kornizave të shtetit të së drejtës dhe një shoqërie përmbajtësisht demokratike, pa abuzuar me liritë e tyre të garantuara.
Shqipëria aktualisht ndodhet në momentin e ndryshimeve të ligjeve përkatëse “Për mediat audiovizive në Republikën e Shqipërisë” dhe “Për komunikimet elektronike në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar. Nevoja për këto ndryshime vjen pikërisht në momentin kur mediat elektronike online janë vazhdimisht në rritje dhe në këtë formë pjesa më e madhe e shoqërisë, e realizon lehtësisht aksesin në to. Sigurisht që qasja që duhet patur në hartimin dhe konceptimin e këtyre akteve në këndvështrimin e Avokatit të Popullit, është respektimi në standartet më të larta i lirisë së shprehjes, pa cënuar askënd.

Qëllimi kryesor i ndryshimeve ligjore ka të bëjë me regjistrimin e portaleve online për shkak të transparencës, pavarësisë si dhe garantimit të një pune të denjë për të gjithë të punësuarit në këtë “industri” gjithmonë në rritje, duke patur në fokus mbrojten e dinjtetit të individëve nga cënimet, urrejta, gjuha e dhunës, lajmet e gënjeshtërta.

Ligjet shqiptare që po amendohen në këtë fushë, janë përafruar me direktivën 2010/13/EU për shërbimin mediatik. Më tej, konstatohet që në hartimin e këtyre akteve, janë marrë parasysh parashikimet legjislative të fushës nga shteti kroat. Në këndvështrimin tonë, dy janë problematikat për të cilat duhet të dalin të qarta dhe të mirërregulluara dispozitat ligjore: regjistrimi dhe mbikqyrja e medias elektronike.

Në Shqipëri, po parashikohet që ofruesi i shërbimit të publikimeve elektronike, person fizik apo juridik, do të regjistrohet ne regjistrin e ofruesve të publikimeve elektronike që ofron shërbime të publikimit elektronik. Ky regjistër sipas parashikimeve do të administrohet nga Autoriteti i Komunikimeve Elektronike dhe Postare (AKEP) dhe do të jetë ky autoritet i cili mbikqyr gjithashtu dhe kuadrin rregullator në lidhje me këto subjekte.

Pyetja që lind natyrshëm është: A ka ekuilibër ndërmjet shërbimit të ri të cilin po tentohet të rregullohet dhe mënyrës së regjistrimit dhe të monitorimit të tij? A do të ketë kontroll apo përqëndrim të “pushtetit “në një dorë? A do të zhduket gjuha e urrejtjes nëpërmjet këtyre mekanizmave?

Kjo mbetet për tu provuar në gjykimin tim, por mundësia për ta rregulluar dhe për ta administruar sic duhet procesin, ekziston. A ka dëshirë të mirë? A ka vullnet? Do ta shohim më tej gjatë hallkave të procesit. 
Qëndrimi i organizatave të shoqërisë civile të jo vetëm të fushës së medias, ka qenë kategorikisht këtyre ndryshimeve në lidhje me aspektin kontrollues që synohet të vendoset duke prekur kështu lirinë e shprehjes, median dhe gazetarët.
Këshillit të Ankesave, i cili aktualisht funksionon sipas parashikimeve të ligjit për mediat audiovizive, i atribuohet me ndryshimet e reja, dhe është mbikëqyrja e zbatimit të kodit dhe rregulloreve të miratuara nga AMA, që kanë të bëjnë sidomos me respektimin e dinjitetit e të drejtave të tjera themelore të njeriut, në mënyrë të veçantë mbrojtjen e të miturve, të drejtës për informacion dhe sensibilizimit të opinionit publik, lidhur me respektimin e normave morale dhe etike në programet e ofruesve të shërbimeve audiovizive.
Sjell në vëmendje që anëtarët e këshillit të ankesave caktohen nga Autoriteti për Mediat Audiovizive ku në përbërje janë kryetari dhe 2 anëtarë dhë në ushtrimin e kompetencave të tij të veprimtarisë së përditshje, Këshilli mbështetet nga stafi i AMA. 
Në këto kushte, na lind e drejta të mendojmë që është AMA, autoriteti de facto i cili ka kompetencat e Këshillit të Ankesave ku për pasojë është autoriteti de facto i cili do të vendosë dhe sanksionet sipas shkeljeve që do të konstatohen. Në këtë frymë, është përfundimisht qëndrimi i AMA ai që do të përcillet dhe do të serviret nëpërmjet këtij Këshilli në lidhje me çdo vendimmarrje të tijën.
Nëse arrihet bllokimi nëpërmjet internetit për pasojë do të ndodhemi në një situatë direkte konfliktuale me parashikimet e nenit 10 të Konventës për të drejtat e Njeriut i cili garanton se: çdokush ka të drejtën e lirisë së shprehjes. Kjo e drejtë përfshin lirinë e mendimit dhe lirinë për të marrë ose për të dhënë informacione dhe ide pa ndërhyrjen e autoriteteve publike dhe pa marrë parasysh kufijtë.
Mendoni sikur Gjykata Europiane e të drejtave të Njeriut, të deklarojë të pranueshme ankesat e mundshme që do të paraqiten para saj, sa do të shkojë fatura e shtetit shqiptar për këto vendime? Sa do t’i kushtojë një nismë e tillë ekzekutivit shqiptar, të cilën mund ta vlerësojë të nevojshme, por pasojat e miratimit dhe implementimit të saj do të jenë të një natyre krejtësisht të dëmshme për shtetin dhe individin?
Si garantues i zbatimit të standarteve më të larta të të drejtave të njeriut, mendoj që përpjekjet, ndërhyrjet, dhe prezenca e institucionit që unë përfaqësoj janë të domosdoshme, sepse kanë në themelin e tyre respektin për lirinë e shprehjes në mbrojtje të dinjitetit të individit.
Sfida? Mendoj që është ekulibri, e mesmja e artë ku çdo individ që shprehet publikisht, në median online dhe audiovizive duhet të jetë i përgjegjshëm dhe të mbajë përgjegjësi për atë që shkruan dhe publikon. Rregullimi i medias online, nëpërmjet akteve ligjore, duhet të vijë si një proces gjithëpërfshirës ku të merren parasysh mendimet dhe shqetësimet e shoqërisë civile dhe nga të gjitha sa u thanë më lart gjykoj se një organ tjetër mund ta kryejë më së miri këtë funksion. Përgjegjësia është e secilit për “faktin apo lajmin” të cilin e publikon brenda garancisë së profesionalizmit”.