6 February 2018

Avokati I Popullit Angazhohet Për Të Ndihmuar Në Krijimin E Një Mjedisi Të Sigurt Për Përdoruesit E Internetit


AVOKATI I POPULLIT ANGAZHOHET PËR TË NDIHMUAR NË KRIJIMIN E NJË MJEDISI TË SIGURT PËR PËRDORUESIT E INTERNETIT

 

Dita ndërkombëtare për internetin e sigurt për vitin 2018 zhvillohet nën moton “Krijo, lidhu dhe ndaj me respekt: Interneti i sigurt fillon nga ty”. Kjo përbën një thirrje për veprim për qeverinë, shoqërinë civile, industrinë e internetit, prindërit mësuesit etj, për ndërgjegjësimin dhe mbrojtjen e fëmijëve dhe adoleshentëve nga rreziqet e lundrimit në internet.
Neni 27 i Ligjit 18/2017 “Për të drejtat dhe mbrojtjen e fëmijës” ka përcaktuar se:
“1. Prindi, kujdestari ose çdo person tjetër, i cili është në kontakt me fëmijën është përgjegjës për të mbrojtur fëmijën nga aksesi në materiale me përmbajtje të dëmshme ose të paligjshme në internet. 
2. Qendrat e ofrimit të internetit, institucionet e edukimit, si dhe cdo institucion tjetër publik ose privat, i cili ofron akses në internet, aplikojnë instrumente teknike dhe masa të tjera për mbrojtjen e fëmijëve nga aksesi në përmbajtje të paligjshme dhe ose të dëmshme, sipas legjislacionit në fuqi.
3. Agjencia Shtetërore për Mbrojtjen e të Drejtave të Fëmijës, kur konstaton se në rrjetet kompjuterike ose ato të informacionit, në faqet e internetit apo në mjedise ku ka fëmijë, qarkullojnë materiale me përmbajtje të dëmshme për fëmijën, sipas këtij ligji dhe ligjit për sigurinë kibernetike, i kërkon autoritetit përgjegjës të marrë masat për bllokimin e aksesit në këto rrjete ose faqe. 
4. Masat për mbrojtjen e fëmijëve nga aksesi në përmbajtje të paligjshme dhe/ose të dëmshme në internet përcaktohen me vendim të Këshillit të Ministrave.

Në rolin e mbrojtësit dhe promovuesit të të drejtave njerëzore të fëmijëve, Avokati i Popullit do të monitorojë zbatimin e të gjitha detyrimeve ligjore që autoritetet publike zbatojnë edhe në këtë fushë.