14 November 2023

Informacion Mbi Monitorimi I Qendrave Të Votimit Për Aksesin E Personave Me Aftësi Të Kufizuar/ Zgjedhje Vendore 2023


Informacion mbi monitorimi i qendrave të votimit për aksesin e Personave me Aftësi të Kufizuar/ Zgjedhje Vendore 2023

Informacion mbi monitorimi i qendrave të votimit për aksesin e Personave me Aftësi të Kufizuar/ Zgjedhje Vendore 2023

 

 

Bazuar në nenin 16 të ligjit nr. 93/2014 “Për përfshirjen dhe aksesueshmërinë e personave me aftësi të kufizuara”Avokati i Popullit është  një institucion monitorues për zbatimin e këtij ligji në përputhje me Konventën e OKB-së“ Për të drejtat e personave me aftësi të kufizuara”.

Në nenin 29 të Konventës së OKB-së “Për të drejtat e personave me aftësi të kufizuara”, për pjesëmarrjen në jetën politike dhe publike, është përcaktuar se:

  • Shtetet Palë duhet tu garantojnë personave me aftësi të kufizuar të drejtat politike dhe mundësinë për t’i gëzuar ato njësoj si pjesa tjetër e popullësisë dhe duhet të marrin përsipër:

(a) Tu garantojnë personave me aftësi të kufizuar pjesëmarrjen e plotë dhe efektive në jetën politike dhe publike njësoj si gjithë të tjerët, drejtpërsëdrejti apo nëpërmjet përfaqësuesve të zgjedhur, duke përfshirë edhe të drejtën dhe mundësinë e personave me aftësitë kufizuar për të votuar dhe për tu zgjedhur, ndër të tjera duke:

(i) Siguruar që procedurat, facilitetet dhe materialet e votimit të jenë të përshtatshme, të aksesueshme dhe të thjeshta për tu kuptuar dhe përdorur;

(ii) Mbrojtur të drejtën e personave me aftësi të kufizuar për të votuar me votë të fshehtë në zgjedhje dhe referendume publike, pa kërcënim, për të kandiduar në zgjedhje, për të ushtruar funksione publike dhe për të kryer të gjitha funksionet publike në të gjitha nivelet e qeverisë, duke lehtësuar përdorimin e teknologjive asistuese dhe të reja, ne rastet e përshtatshme;

(iii) Garantuar shprehjen e vullnetit të lirë të personave me aftësi të kufizuar si zgjedhës dhe për këtë qëllim, kur është e nevojshme, me kërkesën e tyre, lejohet asistenca në votim nga një person i zgjedhur prej tyre.”

E drejta e votës, për të zgjedhur dhe për t’u zgjedhur, si e drejtë kushtetuese parashikohet shprehimisht në Kushtetutën e Shqipërisë, në nenin 45 të saj, ku thuhet se:

  • Çdo shtetas që ka mbushur tetëmbëdhjetë vjeç, qoftë edhe ditën e zgjedhjeve, ka të drejtën të zgjedhë dhe të zgjidhet” ;

Në ligjin nr. 100129 datë 29.12.2008 “Kodi zgjedhor i Republikës së Shqipërisë”, i ndryshuar, kjo e drejtë kushtetuese rikonfirmohet edhe si parim bazë i këtij kodi si dhe detajohen në mënyrë të qartë mënyrat e ushtrimit të kësaj të drejte. Sipas nenit 3, pika b:

  • “...b) Çdo shtetas shqiptar, që ka mbushur moshën 18 vjeç, qoftë edhe ditën e  zgjedhjeve, pa dallim race, etnie, gjinie, gjuhe, bindje politike, besimi, aftësie fizike ose gjendjeje ekonomike, ka të drejtë të zgjedhë dhe të zgjidhet, në përputhje me rregullat e parashikuara në këtë Kod ”.

Kodi ynë zgjedhor, në nenin 108 të tij, ka përcaktuar procedurat e votimit për zgjedhësit që nuk mund të votojnë, duke filluar që nga regjistrimi në listat e zgjedhësve të qendrës përkatëse të votimit, infrastrukturës së përshtatshme për  lehtësimin e pjesëmarrjes në votime për personat paraplegjike  e tetraplegjike, pajisjen e komisioneve të qendrave të votimit me mjete të posaçme votimi për personat që nuk shikojnë.

 

Inspektimi i qendrave të votimit për të verifikuar në terren përmbushjen e kërkesave ligjore për lehtësimin e aksesit të personave me aftësi të kufizuar në qendrat e votimit.

Avokati i Popullit ka kryer inspektime për evidentimin e problematikave potenciale ekzistuese dhe marrjen e masave të nevojshme, përkatëse për garantimin e së drejtës së votës për personat që përfshihen në kategorinë e personave me aftësi të kufizuar.

Në kuadër të Zgjedhjeve Vendore 2023, me qëllim krijimin e kushteve të nevojshme që personat më aftësi të kufizuar të ushtrojnë lirisht të drejtën e votës, Institucioni i Avokatit të Popullit, në përputhje me paragrafin e pare të nenit 13 të ligjit nr.8454 datë 04.02.1999 “Për Avokatin e Popullit”, i ndryshuar, filloi me iniciativën e tij këtë çështje.

Për monitorimin e aksesueshmërinë në infrastrukturë të personave me aftësi të kufizuar në qendrat e votimit në disa qytete të Shqipërisë, u hartua Plani i Punës nga Seksioni i Përgjithshëm dhe miratuar nga Avokatja e Popullit, Zj.Erinda Ballanca.

 

Objektivat e monitorimit

Krijimi i kushteve lehtësuese për aksesin e personave me aftësi të kufizuar në Qendrat e Votimit:

  • Vendosja e rampave për invalidët paraplegjikë dhe tetraplegjikë.

 

  • Përshtatshmëria e infrastrukturës (sinjalistika me shirita të verdhë) për personat me aftësi të kufizuar në shikim. 

 

Metodologjia e punës

Grupi i inspektimit i institucionit të Avokatit të Popullit, ka qenë i përbërë nga Ndihmës/komisionerët e Seksionit të Përgjithshëm dhe përfaqësuesit e Zyrave Rajonale të Avokatit të Popullit në qytetet Shkodër, Kukës, Pogradec, Dropull i Poshtëm, Sarandë, Berat, Vlorë.

  • Inspektimi nga Seksioni i Përgjithshëm në Qendrat e Votimit në disa qytete të Shqipërisë, të aksesueshmërisë në infrastrukturë të personave me aftësi të kufizuar në lëvizje dhe shikim u krye i ndarë në  dy grupe.
  • Inspektimi u krye mbi bazë përzgjedhje të rastësishme të një numri të caktuar qendrash votimi (jo më pak se 10 Qendra Votimi), të cilat do të përcaktohen nga grupet e inspektimit në terren në ditën e inspektimit.
  • Në njësitë e vetqeverisjes vendore, të cilat kanë një numër më të madh qendrash votimi, krahasimisht me të tjera, numri minimal i përcaktuar për inspektim të mos jetë më i vogël se 15 Qendra Votimi.
  • Përfaqësuesit e Zyrave tona Rajonale kryen inspektim në Qendra Votimi të qarkut përkatës, ku ndodhet Zyra Rajonale. Numri i qendrave të votimit të inspektuara nga ana e tyre, deri në fund të këtij procesi, të mos jetë më pak se 20. Të evidentohen edhe me fotot përkatëse.
  • Të gjitha qendrat e inspektuara në qytete, ku ndodhen Zyrat Rajonale të Avokatit të Popullit do të riinspektohen nga përfaqësuesit rajonalë sërish më datë 14 Maj 2023.
  • Pas përfundimit të inspektimeve të kryera, grupet e punës dhe përfaqësuesit e zyrave rajonale do të përgatisin një informacion përmbledhës me gjetjet përkatëse.

 

Gjetjet nga monitorimi në Qendrat e Votimit

 

Nga Seksioni i Përgjithshëm janë monitoruar 510 Qendra Votimi të vendosura në 252 institucione shtetërore në bashkitë: Tiranë, Lezhë, Lushnje, Divjakë, Fushë-Krujë, Durrës, Kavajë, Elbasan, Gramsh, Cërrik, Fier, Pukë, Fushë-Arrëz, Rrogozhinë, Vau i Dejës, Kamëz, Kashar, Vorë, Tiranë/ Njësia Administrative Dajt dhe Kashar.

 

Nga përfaqësuesit e Zyrave Rajonale  430  Qendra Votimi të vendosura në 169 institucione shtetërore në bashkitë: Kukës, Sarandë, Shkodër, Malësi e Madhe, Berat, Kuçovë, Poliçan, Dimal, Pogradec, Maliq, Librazhd, Vlorë, Dropull/Njësia Administrative Dropull i Sipërm, Dropull i Poshtëm, Pogon,   

 

 

 

 

Monitorimet sipas  qyteteve:

 

Qyteti

Nr. QV

Nr.institucionesh

Me rampe

 

Pa rampe

Sinjalistike per te verbrit

Lezhë

22

9

7

2

 

Lushnje

35

13

7

6

 

Divjakë

13

4

4

-

 

Laç

17

8

5

3

 

Fushë-Krujë

15

13

7

6

 

Durrës

89

61

55

6

 

Kavajë

17

9

7

2

 

Elbasan

33

16

11

5

 

Gramsh

12

9

5

4

 

Cërrik

14

9

7

2

 

Fier

53

19

15

4

 

Pukë

5

5

3

2

 

Fushë-Arrëz

4

4

2

2

 

Rrogozhinë

7

7

5

2

 

Vau i Dejës

4

4

3

1

 

Kamëz

50

11

11

-

 

Dajt

22

7

5

2

 

Kashar

23

3

3

-

 

Vorë

12

5

4

1

 

Tiranë

63

36

36

-

 

Vlorë

72

25

15

10

 

Pogradec

75

26

3

23

 

Maliq

9

4

1

3

 

Prrenjas

4

1

1

-

 

Librazhd

6

4

1

3

 

Berat

88

30

16

14

 

Kukës

22

17

5

12

 

Dropull

21

18

3

15

 

Sarandë

34

12

-

12

 

Shkodër

99

32

18

14

 

Gjithsej

940

421

265

156

 

Pra, nga monitorimet e kryera në 421 institucione, ku ishin të vendosura 940 QV, 265 institucione ishin te aksesueshme në katet e para të godinave për personat me aftësi të kufizuar ( pajisur me rampë në hyrje të godinave) në lëvizje, ndërsa për 156 institucione mungonte vendosja e rampës për në hyrje të godinave. E shprehur në përqindje, rezulton se  59% e institucioneve, kryesisht arsimore nuk kanë akses për personat me aftësi të kufizuar në lëvizje.

Në qendrat e votimit të vendosura në katin e dytë të godinave nuk kishte akses për personat me aftësi të kufizuara, pasi nuk janë të pajisura me ashensor apo rampë të brendshme, përveçse dy apo tre shkollave.

Në rastet kur Qendrat e Votimit ishin caktuar dhe në katin e dytë, nuk ishin parashikuar masa specifike për aksesueshmërinë e personave me aftësi të kufizuar në lëvizje dhe shikim, megjithë përgjigjet pozitive të ardhura nga disa drejtues të qeverisjes vendore për marrjen në konsideratë dhe zbatimin e rekomandimeve të dërguara për garantimin e së drejtës së votës për personat me aftësi të kufizuar në lëvizje dhe shikim

Ndërsa mbetet evidente, si një problematike ende e pazgjidhur në të gjitha institucionet shtetërore, ku ishin të vendosura qendrat e votitmit,  mospasja e infrastukturës ndërtimore për personat me aftësi të kufizuar në shikim.

Siç është evidentuar edhe në monitorimet e kryera në kuadër të Zgjedhjeve të Përgjithshme 2021, në përgjithësi në kopshte, shkollat 9-vjeçare dhe të mesme të qyteteve, kanë të vendosura rampë në hyrje të godinave dhe që mundësonin aksesueshmëri për katet e para të godinave, kurse në Njësitë Administrative dhe kryesisht në fshatra mungonte vendosja e rampës.

Pavarësisht  rekomandimeve të dërguara ndër vite nga institucioni ynë për këtë çështje dhe shprehjes së gadishmërisë nga ana e drejtuesve si të institucioneve shtetërore qendrore, ashtu edhe atyre vendore për marrjen e masave për realizimin e përshtatshmërisë ndërtimore  për personat me aftësi të kufizuar në shikim, nuk është ndërmarrë asnjë hap për të bërë të mundur qasjen në marrjen e shërbimeve për këtë kategori të personave me aftësi të kufizuar.[1]

 

 

 

 


[1] Rekomandim drejtuar 61 bashkive me datë 06.04.2023 për marrjen e masave për krijimin e kushteve të përshtatshme në qendrat e votimit, me qëllim garantimin e ushtrimit lirisht të së drejtës së tyre kushtetuese, të votës për personat me aftësi të kufizuar, në Zgjedhjet Vendore 2023.

Kemi marrë përgjigje vetëm nga 11 bashki (Rrogozhinë, Tiranë, Pogradec, Divjakë, Cërrik, Elbasan, peqin, Kuçovë, Ura-vajgurore, kurbin, mirditë) , të cilat kanë konfirmuar faktin e marrjes së masave për aksesueshmërinë për personat me aftësi të kufizuara, duke vendosur kryesisht qendrat e votimit në katet e para, si dhe duke caktuar personel ndihmës për të mundësuar ushtrimin lirisht të të drejtës së votës.