Zhvillon Punimet Në Tiranë Konferenca Vjetore E Institucionit Të Avokatit Të Popullit
ZHVILLON PUNIMET NË TIRANË KONFERENCA VJETORE E INSTITUCIONIT TË AVOKATIT TË POPULLIT
U zhvillua sot në Tiranë Konferenca Vjetore e Institucionit të Avokatit të Popullit. E shënjuar në një datë të rëndësishme e cila koincidon me 70 vjetorin e miratimit të Deklaratës Universale të të Drejtave të Njeriut si dhe në vitin e njëzetë të miratimit të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë, Konferenca kishte në fokus të saj pikërisht të drejtat kushtetuese të qytetarëve shqiptarë.
Konferenca u drejtua nga Avokatja e Popullit znj.Erinda Ballanca e cila falënderoi për pjesëmarrjen e gjerë të autoriteteve vendase e përfaqësuesve të huaj si dhe aktorëve të shoqërisë civile në këtë aktivitet.
Pjesëmarrës në Konferencë ishin edhe znj. Vasilika Hysi, Zëvendëskryetare e Kuvendit; znj. Senida Mesi, Zëvendëskryeministre; z. Bashkim Dedja, Kryetar i Gjykatës Kushtetuese; z. Brian Williams, Koordinator Rezident i Zyrës së OKB; z. Bernd Borchardt, Kreu i Prezencës së OSBE; znj. Monika Bylaite, përfaqësuese e Delegacionit të BE, z. Daniel Koski, Zv/ambasador në detyrë i SHBA dhe z. Olsi Dekovi, Zv/kreu i Zyrës së Këshillit të Europës.
Gjithashtu, një mesazh përshëndetjeje drejtuar Konferencës Vjetore të Avokatit të Popullit, ia dërgoi edhe Presidenti i Republikës, z.Ilir Meta.
Avokatja e Popullit, znj.Erinda Ballanca foli rreth rëndësisë që ka në ditë si e sotmja krijimi i institucioneve që në vend të zbatimit mekanik të ligjeve, të shfaqin një fytyrë njerëzore në garantim të të drejtave civile e politike që përmblidhen në kuadrin e të drejtave të njeriut dhe të drejtave kushtetuese.
“Të drejtat kushtetuese të qytetarëve më shumë se kurrë kanë nevojë sot për mbrojtje të zëshme e të vendosur nga të gjithë. Ka qenë në fokusin e ligjërimit të institucionit tonë në mënyrë të vazhdueshme nevoja për një ndërgjegjësim të domosdoshëm nga ana e autoriteteve, qendrave të pushtetit e mekanizmave tanë ligjzbatues për interpretimin dhe zbatimin e ligjeve me frymë njerëzore, me empati e me respekt për dinjitetin human” u shpreh Avokatja Ballanca.
“Fytyra njerëzore dhe mirëkuptuese e shtetit përballë qytetarëve të vet nuk duhet të shfaqet vetëm atëherë kur laku ngushtohet deri aty ku s’mban më dhe qytetarët shtyhen në prag të rebelimit e protestës. Një shtet me fytyrë njerëzore e sociale, i cili strukturalisht është një shërbëtor i qytetarëve e jo një shtypës gjakftohtë i të drejtave të tyre, mbetet misioni ynë kryesor”, shtoi ajo.
Konferenca vazhdoi me fjalët përshëndetëse të të ftuarve si dhe me panelet ku përfaqësues të ndryshëm nga Institucione të Pavarura Kushtetuese si Komisioneri Për Mbrojtjen e të Dhenave Personale, z.Besnik Dervishi, Komisioneri Anti-Diskriminim z.Robert Gajda, si dhe përfaqësues të institucionit të Avokatit të Popullit, botës akademike dhe shoqërisë civile, mbajtën referate e prezantime mbi temën e të drejtave kushtetuese.