1 April 2018

Raportim Mbi Vizitat Inspektuese Të Avokatit Të Popullit Në Drejtorinë E Policisë Dhe Komisariatet E Policisë Në Kryeqytet


RAPORTIM MBI VIZITAT INSPEKTUESE TË AVOKATIT TË POPULLIT NË DREJTORINË E POLICISË DHE KOMISARIATET E POLICISË NË KRYEQYTET

 

Institucioni i Avokatit të Popullit, në vijim të detyrës së tij kushtetuese dhe ndjekjes së problematikave të ditës së djeshme në Kukës, ka zhvilluar gjatë gjithë ditës së sotme vizita inspektuese në dhomat e paraburgimit ku janë sjellë qytetarë të ndaluar pas pjesëmarrjes në protestën e djeshme në Rrugën e Kombit.

Nga inspektimet e grupeve të punës të Avokatit të Popullit rezulton se në Drejtorinë e Policisë në Tiranë po mbahen aktualisht 13 persona, në Komisariatet 1 dhe 2 nga katër persona, ndërsa tre persona të tjerë ndodhen të shpërndarë në komisariate të tjerë të kryeqytetit.

Ekspertët e Avokatit te Popullit, konstatojnë se ndonëse ndaj asnjërit prej të ndaluarve nuk është ushtruar dhunë dhe asnjëri prej këtyre të ndaluarve nuk ka pretenduar të jetë ushtruar dhunë mbi të, situata paraqitet problematike në lidhje me komunikimet formale të shkakut të privimit nga liria të këtyre personave.

Deri në orën 14.00, në komisariatet 1 dhe 2 nuk ishte përmbyllur ende procedura për të bërë të mundur trajtimin e personave me ushqim. E njëjta situatë është konstatuar edhe në Drejtorinë e Policisë ku deri në orën e përfundimit të inspektimit (18:00) ende të ndaluarit nuk ishin trajtuar me ushqim.

Avokati i Popullit u ka kërkuar autoriteteve policore që të bëjnë trajtimin ushqimor dhe shëndetësor të të ndaluarve që ndodhen në mjediset e paraburgimit për të shmangur klasifikimin e gjendjes së tyre si trajtim çnjerëzor.

Avokatja e Popullit Erinda Ballanca ka komunikuar personalisht në rrugë telefonike me drejtorin e përgjithshëm të Policise i cili ka garantuar se problemi edhe nëse ka ekzistuar mund të ketë qenë vetëm teknik dhe ka garantuar që situata është zgjidhur. Çështja do të vijojë të mbahet në qendër të vëmendjes nga grupet e mëtejshme të inspektimit të Avokatit të Popullit.

Elementi tjetër shqetësues nga ana proceduriale në rastin e arrestimeve të qytetarëve nga Kukësi që ndodhen aktualisht në komisariatet e Tiranës, është mungesa e dokumentacionit shoqërues për ndalimin e tyre dhe mos-vënia formalisht në kohën e duhur në dijeni e të ndaluarve për arsyet e ndalimit.

Në komisariatin nr.1 në Tiranë, ekipit të përfaqësuesve të Avokatit të Popullit që kishin shkuar për inspektim (ora e inspektimit 13:00) nuk iu dhanë dokumentet përkatëse por iu bë e ditur se ato ndodhen në sistemin elektronik të Policisë ndonëse në Komisariat nuk kishin kopje të tyre.

Në komisariatin nr.2 të Policisë, Tiranë, dokumentacioni për të katër të ndaluarit ka qenë prezent. Gjithsesi dokumentacioni paraqiste parregullsi pasi si orë e ndalimit të të arrestuarve shënohej ora e mbërritjes së tyre në komisariat dhe jo ora e ndalimit të tyre në momentin kur janë shoqëruar nga Policia në Kukës.

Në Drejtorinë e Policisë së Tiranës ku po mbahen aktualisht 13 të ndaluar situata ka qenë gjithashtu problematike. Grupi i inspektimit të Avokatit të Popullit ka konstatuar se plotësimi i procesverbaleve për të ndaluarit ka nisur vetëm rreth orës 16.00 të mbasdites ndonëse ata ishin sjellë rreth orës 08.00 të mëngjesit në ambientet e Drejtorisë së Policisë.

Nga ana proceduriale veprimet janë kryer me parregullsi dhe vonesa. Në ato pak procesverbale që u janë vënë në dispozicion përfaqësuesve të Avokatit të Popullit, mungonte ora e kryerjes së ndalimit. Në to citohej urdhëri i ndalimit nga Prokurori, por urdhëri nuk është vënë në dispozicion as të perfaqesuesve të Avokatit të Popullit dhe as të të ndaluarve.

Personat që u pyetën nga ekipi i Avokatit të Popullit, u shprehën se as ata dhe as familjarët nuk ishin njohur me asnjë lloj arsyeje për ndalimin në momentin e prangosjes.

Ekipet e punës së Avokatit të Popullit, po vazhdojnë ndërkohë edhe në orët e mbrëmjes verifikimet dhe inspektimet në të gjitha komisariatet ku janë shpërndarë qytetarët e ndaluar nga qyteti i Kukësit.

Avokati i Popullit do të vijojë të monitorojë me korrektesë dhe përgjegjësi situatën, për të bërë të mundur garantimin e të drejtave të ligjshme të qytetarëve.