Prezantohen Komisionerët E Rinj Të Avokatit Të Popullit
Komisionerët e rinj të Avokatit të Popullit, të zgjedhur nga Kuvendi, u prezantuan sot nga Znj. Klotilda Bushka, Kryetare e Komisionit për Çështjet Ligjore, Administratën Publike dhe të Drejtat e Njeriut.
Znj. Vilma Shurdha, e rikonfirmuar në detyrë për një mandat të dytë, Komisionere në Seksionin e Përgjithshëm; z. Besnik Deda, Komisioner në Seksionin për Policinë, Shërbimin Sekret, Burgjet, Forcat e Armatosura dhe Pushtetin Gjyqësor, si dhe znj. Erinda Meli, Komisionere në Seksionin për Organet e Administratës Qendrore, të Pushtetit Vendor dhe të të Tretëve, janë emrat të cilët do të drejtojnë në katër vitet e ardhshme seksionet përkatëse.
Në vlerësim të integritetit personal dhe profesional të secilit prej të zgjedhurve, Avokatja e Popullit shprehu bindjen për angazhimin e tyre serioz në mbrojtjen e të drejtave dhe interesave të qytetarëve.
Ndërsa i uroi suksese të mëtejshme znj. Ermonela Ruspi, pas përfundimit të mandatit të saj si Komisionere, Avokatja e Popullit evidentoi kontributin e znj. Ruspi në angazhimin e saj të gjatë në drejtimin e seksionit. Ndërsa çmoi profesionalizmin dhe ekspertizën e znj. Ruspi si një vlerë të shtuar për institucionin, Avokatja e Popullit vlerësoi se përkushtimi i saj i dedikuar dhe frymëzues, duhet të shërbej si udhërrëfyes në vijimin e misionit për të siguruar të drejtat dhe mbrojtjen e qytetarëve.
“Do të vijojmë të çojmë përpara misionin e rëndësishëm duke garantuar avancimin e agjendës së të drejtave të njeriut. Gara kishte kualitete shumë të mira dhe uroj që potenciali i dhënë më hershëm do të vijojë më tej nga komisionerët e rinj, në frymën e bashkëpunimit”, u shpreh Avokatja e Popullit
Ndërkaq, në fjalën e saj të rastit, znj. Bushka theksoi ndër të tjera se:- “Roli i Avokatit të Popullit, gjatë këtij mandati, përmes të gjitha fushave të tij të përgjegjësisë ka qenë një ndihmë për punën e Kuvendit, duke dhënë një kontribut të vlefshëm përmes rekomandimeve, në ato çështje që kanë nevojë për përmirësime. Çdo gjetje e Avokatit të Popullit duhet marrë me shumë seriozitet, sepse për reformat modernizuese të shtetformimit dhe proceseve integruese, puna juaj është një vlerë e shtuar dhe pse jo duhet forcuar. Keni një detyrë publike ku ndërveprimi dhe avancimi i detyrave respektive, padyshim që çon përpara të drejtat e qytetarëve. Shpresoj që komisionerët e rinj do të sjellin modelin e tyre, në një skuadër që është model i mirëfunksionimit”.