23 November 2018

Institucionet Kombëtare Të Të Drejtave Të Njeriut Në Shqipëri Nënshkruajnë Marrëveshje Bashkëpunimi


Institucionet kombëtare të të drejtave të njeriut në Shqipëri nënshkruajnë marrëveshje bashkëpunimi

 

Institucionet kombëtare për të drejtat e njeriut, Avokati i Popullit, Komisioneri për të Drejtën e Informimit dhe Mbrojtjen e të Dhënave Personale dhe Komisioneri për Mbrojtjen nga Diskriminimi nënshkruan një marrëveshje bashkëpunimi. Dokumenti është hartuar me koordinimin dhe mbështetjen e Prezencës së OSBE në Shqipëri dhe u firmos nga titullarët e këtyre Autoriteteve, znj. Erinda Ballanca, z. Besnik Dervishi dhe z. Robert Gajda. Marrëveshja ka për qëllim të forcojë bashkëpunimin mes institucioneve, në përputhje me legjislacionin në fuqi, sipas veprimtarisë specifike, për të rritur efektivitetin në respektimin e të drejtave dhe lirive themelore të njeriut nga organet e administratës publike dhe më gjerë.
Në ceremoninë e organizuar me këtë rast, kreu i Prezencës së OSBE z. Bernd Borchart u shpreh se “shoqëria shqiptare ka nevojë për zgjidhje konkrete në fushën e respektimit të të drejtave të njeriut, dhe këto të drejta duhet të vihen në vend sa herë që shkelen. Roli juaj i përbashkët është t’i ruani dhe t’i mbroni ato dhe ne shpresojmë që udhëzuesi i bashkëpunimit do t’ju ndihmojë ta realizoni këtë qëllim”.
Avokatja e Popullit, znj. Erinda Ballanca duke theksuar nevojën që institucionet e të drejtave të njeriut në Shqipëri ta perceptojnë njëra-tjetrën si aleate, në fjalën e saj nënvizoi se “për pikëpamjen tonë, mbrojtja e të drejtave të njeriut është një fushë, ku jo vetëm ka nevojë për të gjithë, por ku është e domosdoshme që lojtarët e skuadrës sonë të jenë sa më të shumtë”.
Z. Besnik Dervishi, vlerësoi se kjo marrëveshje duke ndërthurur përvojën dhe kapacitet, do të ndikojë në rritjen e performancës dhe të rezultateve të punës së institucioneve respektive. “Tashmë kemi mbi 200 vendime, disa prej të cilave kanë shtruar një rrugë të pa guxuar më parë. Dhe këtu e kam fjalën për vendime që kanë urdhëruar transparencën për Autoritete Publike të niveleve më të larta, në fusha tabu, si koncesionet, prokurimet publike, dosjet gjyqësore e ato të organit të prokurorisë, arbitrazhin, sekretin shtetëror apo keqpërdorimin e termit konfidencialitet, si dhe në transparencën e punës së organeve të vettingut” – tha Komisioneri Dervishi.
Ndërsa, Komisioneri për Mbrojtjen nga Diskriminimi, z. Robert Gajda, theksoi rëndësinë dhe domosdoshmërinë e bashkëpunimit mes tre Autoriteteve, për “krijimin e një aleance më të madhe dhe të qëndrueshme midis institucioneve që mbrojnë të drejtat e njeriut, organeve të tjera publike, atyre të pavarura dhe organizatave të shoqërisë civile, në luftën kundër diskriminimit, pabarazive dhe të gjitha padrejtësive”.
Marrëveshja i angazhon Autoritetet për një qasjeje të përbashkët si mbrojtëse të të drejtave themelore të njeriut në aktivitetin institucional dhe shoqëror në vendin tonë. Nëpërmjet shkëmbimit dhe koordinimit të praktikave më të mira ligjore dhe administrative do të garantohen këto të drejta nga veprimet dhe/ose mosveprimet e paligjshme/të parregullta të administratës publike apo palëve të treta që veprojnë për llogari të saj. Tre Autoritetet do të monitorojnë veprimtarinë parlamentare, në mënyrë që të mos cenohen standardet gjatë procesit të konsultimit të projekt-ligjeve para miratimit të tyre. Palët do të bashkëpunojnë për nxitjen e përmirësimit të vazhdueshëm të kuadrit ligjor kombëtar, në përputhje me Konventat ndërkombëtare të nënshkruara/ratifikuara nga Shqipëria.
Gjithashtu, për të maksimizuar kapacitetet administrative do të shfrytëzohen bashkërisht zyrat vendore për shkëmbim dhe përcjellje ankesash dhe problematikash pranë institucioneve në qendër. Palët do të intensifikojnë rritjen e performancës së stafeve nëpërmjet trajnimeve të vazhdueshme dhe do të shkëmbejnë njohuri dhe ekspertizë për përmirësimin e praktikave administrative kur preket objekti i veprimtarisë së palës tjetër. Njëkohësisht, do të bashkëpunohet në organizimin e aktiviteteve të përbashkëta kombëtare dhe ndërkombëtare ndërgjegjësuese për garantimin e të drejtave dhe lirive themelore të njeriut.