11 February 2019

Avokatja E Popullit Merr Pjese Dhe Adreson Konferencen Mbi Kohezgjatjen E Shqyrtimit Gjyqesor Administrativ


AVOKATJA E POPULLIT MERR PJESE DHE ADRESON KONFERENCEN MBI KOHEZGJATJEN E SHQYRTIMIT GJYQESOR ADMINISTRATIV

Avokatja e Popullit, Erinda Ballanca ishte e ftuar sot në Konferencën "Kohëzgjatja e Shqyrtimit Gjyqësor Administrativ" e cila u organizua nga shoqata Infocip.

Konferenca synonte të trajtonte marrdhëniet e punës në gjykatë, pushimet e padrejta nga puna si dhe ngarkesën e madhe që përballojnë gjykatat administrative të cilat trajtojnë cështje të marrdhënieve të punës.

Avokatja Ballanca, iu drejtua konferencës me një fjalë përshëndetëse.
Ndër të tjera, zonja Ballanca u shpreh:

"Në radhë të parë dua t’ju shpreh mirënjohjen për ftesën në këtë aktivitet i cili fokusohet rreth njërës prej çështjeve më të mprehta që ngacmojnë sot qytetarin shqiptar: marrdhënia mes drejtësisë dhe punës, puna me drejtësi dhe drejtësia në punë.
Dua që vërtet ta përgëzoj organizatën Infoçip për punën e saj hulumtuese e cila na u prezantua sot.
Edhe pse të dhënat e ofruara sot këtu kanë një vlerë të madhe për ta kuantifikuar me saktësi shkencore shkallën e lartë të padrejtësisë që demonstrohet me rastin e shkarkimeve nga puna, kjo është gjithsesi një ndjesi që të gjithë në Shqipëri e kemi prej kohësh.
Të jemi të sinqertë dhe ta pranojmë që nëpunësi dhe në përgjithësi i punësuari shqiptar, është viktimë e një pasigurie në punë, të pakrahasueshme mbase me asnjë vend tjetër në kontinentin tonë.
Rotacionet e shpeshta politike sjellin vazhdimisht tek ne shkarkime në masë, nëpunësish, profesionistësh dhe ekspertësh që sapo nisin të ndërtojnë një lloj sistemi dhe familjarizimi që do t’I shërbente efikasitetit në punë, e gjejnë sakaq veten në rrugë për t’u hapur vend në rastin më të mirë profesionistëve që duhet t’ia nisin nga e para e në rastin më të keq, militantëve. 
Kjo traditë e shëmtuar vijon tashmë prej dekadash duke sjellë jo vetëm një rrënim të vazhdueshëm të kujtesës dhe qëndrueshmërisë së institucioneve tona, por edhe dëmtim permanent të financave tona publike për shkak të dëmshpërblimeve të gjata e të vazhdueshme që qytetarët paguajnë.
Kjo simptomë shqetësuese që dëshmon për dobësi të shtetit, mjerisht nuk po merr dot fund në institucionet tona. Numri i lartë i çështjeve të kësaj natyre që përmbytin gjykatën administrative, e dëshmon këtë.
Tek Avokati i popullit, jemi gjithashtu dëshmitarë të kësaj gangrene të rëndë që vazhdon të gërryejë administratën, nëpunësinë publike e gjithë sektorin e punëmarrjes në vendin tonë.
Seksioni ynë i Administratës i cili trajton edhe çështje që lidhen me marrdhëniet e punës, është seksioni që trajton numrin më të madh të ankesave, afro 35 përqind të të gjitha ankesave që u drejtohen pesë Seksioneve tona.
E drejta e mbrojtjes shoqërore të punës, është një nga të drejtat që shkelen më shpesh nga ana e administratës sonë dhe për të cilën, një numër I madh ankuesish paraqiten çdo vit pranë Avokatit të Popullit.
Siç u dëshmua edhe këtu nga gjetjet e hulumtimit të Infoçip, kjo konfirmohet edhe nga numri i madh I vendimeve të dhëna nga Gjykata Administrative e Apelit në favor të punonjësve të shkarkuar të administratës.
Kësisoj, besoj është e pakundërshtueshme tashmë, që në rastin e marrdhënies së punës mes administratës sonë publike dhe nëpunësve të saj, kemi të bëjmë me një anomali kronike e cila duhet të gjejë sa më shpejt zgjidhje. 
Kjo është një anomali e cila ka disa plane, si të karakterit teknik, me nevojën e përmirësimeve e ndryshimeve ligjore të cilat duhet të kenë synim çrrënjosjen e praktikave që e bëjnë të mundur këtë fenomen; si të karakterit financiar – për të gjetur mjetet e duhura për mbështetjen e një reformimi të plotë të administratës me synim zhdukjen e këtij fenomeni; e si të karakterit promovues e edukues në lidhje me të drejtat e punëmarrsve dhe konventat e panumërta që ka nënshkruar vendi ynë në kuadrin e mbrojtjes shoqërore të punës.
Tek kjo pikë, promovimi dhe edukimi që priret rreth njohjes së të drejtave të punonjësve nga ana e politikëbërësve dhe administratorëve tanë publikë, dua të fokusohem më shumë.
E drejta për punësim, për punë me dinjitet dhe siguri në punë janë të drejta që meritojnë tashmë në Shqipëri të manifestohen e të promovohen si të një rëndësie parësore. Ato janë përfshirë edhe midis 14 Objektivave Globalë të OKB-së për Zhvillim të Qëndrueshëm e posaçërisht në Objektivin numër 8, i cili flet për Punë me Dinjitet dhe Rritje Ekonomike.
Nëse duam që vendi ynë ta respektojë këtë Objektiv për të cilin ka marrë angazhim si çdo vend tjetër anëtar i Kombeve të Bashkuara, ne së bashku duhet që fillimisht administratën tonë publike ta bëjmë një vend ku puna ka dinjitet e qëndrueshmëri e si rrjedhojë, ajo jep edhe rezultat e zhvillim.
Nëse nëpunësi i administratës trajtohet me padrejtësi, atëherë edhe administrata do të priret të jetë e padrejtë me ata që i drejtohen asaj.
Nëse vetë punëtori publik ndjen pasiguri, atëherë edhe vetë produkti që ai ofron do të jetë një produkt i pasigurisë dhe pakënaqësisë.
Nëse shteti ynë do të dështojë që t’ia garantojë cilësinë e punës edhe vetë institucioneve mbi të cilët ka instrumentet direkte për të ndikuar e që janë institucionet publike, atëherë dështimi për të bërë të njëjtën gjë në sektorin privat është i garantuar.
Pra, në përfundim të fjalës, dua sërish t’ju falënderoj për këtë mundësi të shkëlqyer që na u dha sot për ta promovuar më tej këtë temë të rëndësishme.
Megjithatë, më shumë se ta mbyll këtë fjalë me nota entuziaste falënderimi, do të doja që ta bëja këtë me një porosi që nxit për reflektim. Është nobelisti bashkëkohor i Ekonomisë, Joseph Stiglitz, i cili tërheq fare qartë vëmendjen: Të drejtat e punonjësve duhet të jenë thelbi i zhvillimit.
Ju faleminderit".