Takim Me Delegacionin E Observatorit Të Pavarur Të Npm-Së
Me ftesë të Avokatit të Popullit znj. Erinda Ballanca, në datat 27-31 maj 2019 një delegacion i Observatorit të Pavarur të NPM-së (NPM Obs) shoqëroi NPM-në shqiptare (MKPT) në vizitat inspektuese në vendet e privimit të lirisë si:
- IEVP Reç, Shkodër
- Pika e kalimit kufitar të Muriqanit
- Drejtoria e i Policisë Kufitare të Shkodrës
- Komisariati i Policisë së Bushatit
- Shërbimi psikiatrik i Shkodrës
- Burgu Shën Koll i Lezhës, dy ndërtesa që përkohësisht do të shërbejnë për të dënuarit me mjekim të detyruar
- Spitali psikiatrik i Elbasanit
- Qendra pritëse e mbyllur për emigrantët e Kareçit
- Instituti i të miturve në Kavajë
- IEVP Durrës
Delegacioni i NPM Obs kryesohej nga z.Patrizio Gonella, ekspert i njohur ndërkombëtar në fushën e jurisprudencës dhe parandalimit të torturës dhe në përbërje të tij ishin z. Petur Hauksson, mjek psikiatër me shumë përvojë në fushën e tij, ish anëtar i CPT-së, si dhe z. Markus Jaeger, drejtues i Seksionit për të Drejtat e Njeriut dhe Migracionin, pranë Këshiilit të Evropës, një nga personalitetet më të shquara ndërkombëtare në fushën e të drejtave të njeriut, të parandalimit të torturës dhe sjelljeve degraduese e cnjerëzore, i cili mori pjesë si përfaqësues i Këshillit të Evropës, nën statusin e vëzhguesit të NPM Obs, në kuadrin e një projekti të përbashkët midis Këshillit të Evropës dhe Bashkimit Evropian të quajtur "Forumi Europian i NPM".
Të gjitha vizitat ishin të paparalajmëruara. Delegacioni i NPM Obs / Këshilli i Evropës mundi të hyjë në të gjitha institucionet e sipërpërmendura, së bashku me MKPT-në shqiptare, bazuar në legjislacionin kombëtar dhe parimet e OPCAT, që lejon NPM-në të shoqërohet nga çdo ekspert që zgjedh, duke përfshirë të huajt.
Në përmbyllje të këtyre takimeve nga të dyja palët u hartuan konkluzionet paraprake në të cilat, grupi i NPM Obs shprehu mirënjohjen për eksperiencën e kaluar gjatë gjithë javës së monitorimit në institucionet e ekzekutimit të vendimeve penale si dhe në qëndrat e tjera ku privohet liria e individëve në Republikën e Shqipërisë dhe u ndal në mënyrë të veçantë në punën dhe proçedurat e ndjekuara nga grupi i ekspertëve të MKPT-së të cilët sipas grupit të ekspertëve të observatorit njëzëri dëshmuan nivel të lartë profesionalizmi në zbatimin e detyrave të tyre si dhe paralelisht një organizim të mirëfilltë, që tregonte funksionimin e këtij seksioni në përputhje me standardet e kërkuara nga OPCAT, CPT dhe legjislacioni shqiptar.
Nga ana e Avokates së Popullit znj Erinda Ballanca dhe komisioneres së MKPT-së znj. Ermonela Xhafa u vlerësua si shumë e frutshme kjo vizitë monitoruese e NPM Obs, si dhe rekomandimet dhe bashkëpunimi me NPM Obs, si një element mjaft pozitiv që ndikon në përmirësimin e punës dhe imazhit të institucionit të Avokatit të Popullit.
Mbi vizitat e kryera do të hartohet një raport i përbashkët, i cili do të bëhet publik në momentin e finalizimit.
6666