Raporti "Me Zërin E Të Miturve Të Privuar Nga Liria - Vlerësimi I Kushteve Dhe Trajtimit Në Institucionet E Ndalimit, Paraburgimit Dhe Burgimit”
Avokati i Popullit, në bashkëpunim me Observatorin për të Drejtat e Fëmijëve dhe UNICEF prezantojnë raportin “Me zërin e të miturve të privuar nga liria - Vlerësimi i kushteve dhe trajtimit në institucionet e ndalimit, paraburgimit dhe burgimit”.
Ky raport përfshin gjetjet dhe rekomandimet e monitorimeve të kryera përgjatë periudhës Gusht - Dhjetor 2016 në Komisariatet e Policisë së Tiranës, Institutit të Ekzekutimit të Vendimeve Penale për të Mitur (IEVP) në Kavajë dhe në Shën Kollë (Lezhë).
Ky raport është përgatitur nga një grup specialistësh të fushës së të drejtave të njeriut, drejtësisë e sociologjisë dhe njohës të standarteve ndërkombëtare, përsa i përket drejtësisë për të miturit. Këta ekspertë, të cilët hartuan metodologjinë dhe pyetësorët, ndoqën punën në terren për realizimin e monitorimit, analizuan të dhënat dhe përgatitën raportin.
Disa prej gjetjeve dhe rekomandimeve
21 të mitur u intervistuan për qëllimet e këtij vlerësimi. Formati i intervistës gjendet në anekset e këtij raporti. Gjashtëmbëdhjetë prej tyre i përkisnin grupmoshës 16 - 18 vjeç dhe pesë prej tyre grupmoshës 14-16.
1. Vetëm shtatë fëmijë kishin përfunduar arsimin e detyruar, ç’ka përfaqëson vetëm një të tretën e popullsisë së kampionit. Ekziston një lidhje e fortë shkakësore midis mosndjekjes së shkollës dhe konfliktit me ligjin në mesin e popullatës të mitur në Shqipëri.
2. Në shumicën e rasteve të fëmijëve të intervistuar, në ambientin familjar ishin të pranishëm të dy prindërit dhe ata ishin siguruesit e të ardhurave. Niveli i lartë i varfërisë ndërthurur me mungesën e mundësive të prindërve për të qënë më të përfshirë në rritjen e fëmijëve, ishin faktorë që dolën në pah gjatë intervistës si shkaqe për sjelljen delinkuente.
3. Institucioni i Kavajës duket të jetë i pajisur me një numër të madh personel; raporti staf – të mitur në burgim ishte dy me një, gjatë kohës së vizitës.
4. Stafi i IEVP Lezhës është i nënpërfaqësuar në këtë institucion dhe nuk mund t’i përgjigjej me efektivitet nevojave të personave që kryejnë dënimin, ku janë rreth 700 individë.
5. Pesëmbëdhjetë prej të intervistuarve deklaruan se ishin informuar për të drejtat e tyre në momentin e arrestimit.
6. Me përjashtim të një rasti, të intervistuarve u ishte dhënë edhe informacion dhe kontroll mjekësor.
7. Të intervistuarit nuk ishin në gjendje të kuptonin dhe të diskutonin në lidhje me kujdesin e veçantë psikologjik për të miturit në këtë Institucion.
8. Ka mungesë të periodizimit të ekzaminimit mjekësor të popullatës së të miturve të burgosur.
9. Rreth gjysma e të të intervistuarve qëndronin në ambiente të përbashkëta.
10. Në institucionet e IEVP të monitoruara, ka dyshekë dhe tesha shtrati, por nuk sigurohen veshje të përshtatshme për të dënuarit. Në institucionin e Kavajës veshjet dhurohen nga shoqëria civile dhe organizatat e ndihmës.
11. Gjysma e të të intervistuarve u përgjigjën pozitivisht në lidhje me mundësinë e ndjekjes së arsimit brenda institucionit të siguruar nga IEVP; ndërkohë vihej re se mungonte stafi i kualifikuar mësimor për të zbatuar kurset e arsimit të detyrueshëm dhe formimit profesional.
12. 9 fëmijë pohuan se ishin lënduar, nga të cilët 4 në komisariatin e policisë.
13. U raportua abuzim, i cili në një rast edhe ishte raportuar.
14. Keqtrajtimi ishte i dukshëm gjatë vizitave monitoruese në ambientin e Shën Kollit.
15. Stafi i institucionit të IEVP Kavajës ishte trajnuar nga UNICEF Shqipëri dhe Save the Children për marredhëniet me fëmijët.
16. Nuk kishte raportime të dënimeve mizore, çnjerëzor ose poshtërues.
17. Gjashtëmbëdhjetë prej të të intervistuarve pohuan se kishin marrëdhënie të mira me të tjerët.
18. Të intervistuarit kishin gjithashtu vizita të rregullta me familjen (javore ose mujore). Ata kishin po ashtu qasje tek informacionet përmes telefonit (20) dhe televizorit (14).
19. Shërbimet ligjore nuk ofrohen falas nga institucioni i burgosjes.
Fjala e Avokatit të Popullit z. Igli Totozani në prezantimin e studimit “Trajtimi i të miturve të privuar nga liria”
“Edhe sot në vitin 2016 fëmijëve ju shkelen të drejtat e garantuara nga Konventa e Kombeve të Bashkuara për të Drejtat e Fëmijëve. Pavarësisht përpjekjeve të bëra ndër vite, institucionet shtetërore kanë dështuar në garantimin e të drejtave të fëmijëve në konflikt me ligjin”. Në këtë përfundim ka arritur nisma e ndërmarrë nga “Drejtësia për të miturit”, realizuar në partneritet me UNICEF dhe i vënë në zbatim nga Observatori për të Drejtat e Fëmijëve (Observatori), në bashkëpunim me institucionin që drejtoj (Avokatin e Popullit), duke vënë në qendër të vëmendjes fëmijët në konflikt me ligjin.
Për një shoqëri që vazhdon përpjekjet për t’u përmirësuar në tharmin e saj demokratik dhe zhvillues pyetjet që na takon të bëjmë vazhdimisht dhe të shqetësohemi realisht janë: a e marrin fëmijët respektin, kujdesin dhe mbrojtjen e veçantë nga të gjithë anëtarët e tjerë të shoqërisë? A ju respektohen fëmijëve të drejtat e tyre të garantuara nga Konventa e Kombeve të Bashkuara për të Drejtat e Fëmijëve?
Përgjigjet për këto pyetje, do të ishin normale dhe pozitive në një vend me standarde demokratike ku të drejtat e njeriut respektohen dhe vlerësohen si “ligje të shenjta”, por që fatkeqësisht në vendin tonë nuk ndodh kështu. Të gjithëve bashkë na duhet të ndajmë herë pas here lajmet e dhimbshme për dhunimin apo shkeljen e të drejtave të njeriut, ku fëmijët mbeten më vulnerabël, e të pambrotjur.
Nga realizimi i monitorimeve në institucionet e privimit të lirisë për të mitur, ka rezultuar se fëmijëve në konflikt me ligjin iu shkelet më shumë se një e drejtë dhe në mënyrë të përsëritur. Edhe pse flasim për rehabilitim të këtyre fëmijëve të stigmatizuar nga shoqëria, jemi shumë larg përmbushjes së standardeve minimale të trajtimit të tyre, në institucionet e privimit të lirisë dhe jo vetëm.
I bëj thirrje të gjithë institucioneve shtetërore, por jo vetëm atyre, të ndërmarrin të gjitha përpjekjet e nevojshme për të përmirësuar jetën e të miturve në konflikt me ligjin. Sipas standardeve ndërkombëtare BURGU duhet të përdoret vetëm si MASA E FUNDIT DHE PËR PERIUDHËN MË TË SHKURTËR KOHORE.
Shteti duhet të bëjë më shumë që të miturit në konflikt me ligjin të përfitojnë maksimalisht nga programet e rehabilitimit dhe ri-integrimit të tyre në shoqëri, në të kundërt nuk duhet të na çudisin aspak statistikat e recidivizmit. Ka ardhur koha që shteti të hartojë dhe implementojë strategji parandaluese për të ndaluar të miturit që të hyjnë në konflikt me ligjin.
Këto politika të reja duhet të jenë në të njëjtën linjë edhe me orientimet e dhëna nga Objektivat e Zhvillimit të Qëndrueshëm të Mijëvjecarit të përcaktuara nga OKB, një dokument global që duhet të shërbejë si një manual pune për çdo qeveri.
Gjithashtu, respektimi i të drejtave të njeriut, veçanërisht i të miturve, qofshin këta edhe në konflikt me ligjin përbën njërën nga kolonat shumë të rëndësishme që qeveria shqiptare ka detyrimin t’i përmbushë në kuadër të integrimit në Bashkimin Europian. Por është edhe një detyrim njerëzor për të gjithë ne, që të përpiqemi të gjithë bashkë, si shoqëri, të mos lejojmë viktimizimin e të miturve, që për një shkak apo një rrethanë bëjnë gabime të rënda, që u kushtojnë të ardhmen.