20 December 2017

Mbi Inspektimet E Institucionit Të Avokatit Të Popullit Në Burgun E Fierit


Mbi Inspektimet E Institucionit Të Avokatit Të Popullit Në Burgun E Fierit

Institucioni i Avokatit të Popullit, në ushtrim të kompetencave të veta funksionale, në vazhdën e inspektimeve periodike në burgje (inspektimi i fundit në Fier në dhjetor 2017), si dhe nisur edhe nga ankesa individuale që dërgohen pranë institucionit, ka nisur një inspektim në Institucionin e Vuajtjes së Dënimit në Fier.

Duke marrë shkas edhe nga denoncimet në emisionin "Stop" në TV Klan të një numri pretendimesh mbi regjimin e paraburgimit në burgun e Fierit, Avokati i Popullit ka nisur ditët e fundit me iniciativë një inspektim të hollësishëm në këtë institucion.

Përfaqësues të Mekanizmit Kombëtar për Parandalimin e Torturës si dhe Seksionit të Veçantë pranë Avokatit të Popullit, qysh ditën e parë të denoncimit kanë mbërritur në Burgun e Fierit ku në bazë të kompetencave ligjore të Avokatit të Popullit, kanë nisur punën për kryerjen e një serie procedurash inspektimi.

Përfaqësuesit e Avokatit të Popullit po kryejnë shqyrtimin e gjendjes fizike të të gjitha ambienteve të këtij burgu përfshi ato të paraburgimit. Ata po intervistojnë një numër qytetarësh të cilët kryejnë në këtë institucion ose dënime të ndryshme, ose janë në pritje të marrjes së vendimeve të gjykatës.

Gjithashtu, Avokati i Popullit po zhvillon intervista informative me personelin e burgut si dhe po inspekton rregullsinë e dokumentacionit. Gjithçka po kryhet me profesionalizëm, paanësi si dhe në përputhje të plotë me kompetencat ligjore të institucionit të Avokatit të Popullit.

Çdo gjetje e këtyre inspektimeve do të reflektohet në një raport i cili së bashku me rekomandimet përkatëse do t'i vendoset në dispozicion jo vetëm autoriteteve, por edhe opinionit publik.​