Institucioni I Avokatit Të Popullit Në Shqipëri Priti Sot Në Një Takim Pune Një Delegacion Nga Komisioni Europian Kundër Racizmit Dhe Intolerancës (Ecri).
Delegacioni në fjalë ndodhet në vendin tonë për t’u njohur nga afër me situatën e respektimit të të drejtave të njeriut që përfshihen në fushën e veprimtarisë së këtij komisioni dhe ka zhvilluar takime me zyrtarë të lartë në vend si dhe ka kryer vizita në terren.
Delegacioni i ECRI përbëhej nga Christian Ahlund (Suedi), Sara Gimenez (Spanjë), Thobias Bergmann dhe Grazia Brundu.
Përfaqësuesit u pritën nga Avokatja e Popullit Erinda Ballanca, komisioneret Vilma Shurdha dhe Ermonela Xhafa si dhe anëtarë të tjerë të stafit.
Të dyja palët shkëmbyen pikëpamje në lidhje me respektimin e të drejtave të pakicave, qasjen e autoriteteve ndaj pretendimeve për diskriminim, çështjen e shpronësimeve, shtrirjen e gjuhës së urrejtjes, etj.
Avokatja e Popullit Ballanca vlerësoi lart veprimtarinë dhe raportet e ECRI dhe shprehu gatishmërinë e institucionit që ajo drejton për ta vazhduar bashkëpunimin me këtë komision të rëndësishëm ndërkombëtar, pjesë e Këshillit të Europës.