Avokati I Popullit Kritikon Neglizhencën E Vazhdueshme Për Ngritjen E Institucioneve Të Posaçme Mjekësore Për Të Dënuarit Në Shqipëri
Moszbatimi i marrëveshjes ndërmjet Ministrisë së Drejtësisë dhe Ministrisë së Shëndetësisë për ngritjen e një Institucioni të Posaçëm Mjekësor, të parashikuar në ligjin Nr. 44/2012, datë 08.05.2012 “Për Shëndetin Mendor”, me qëllim strehimin dhe trajtimin e personave që kanë marrë nga gjykata masën “mjekim i detyruar” dhe “shtrim i përkohshëm” është një problematikë e përseritur disa herë në raportet e inspektimeve të Avokatit të Popullit. Trajtimi i kësaj kategorie në IEVP Krujë etj, në kushte materiale degraduese dhe kur në organikat e tyre mungon mjeku psikiatër dhe kur aksesi për konsulta psikiatrike pranë spitaleve psikiatrike rajonale paraqet vështirësi, ose në Institucionin e Veçantë Shëndetësor të Burgjeve për rastet me episode akute, vijon të mbetet i paligjshëm, duke u reflektuar edhe raportet kombetare, nderkombëtare dhe në konferencat rajonale.
Avokati i Popullit, në rolin e Mekanizmit Kombëtar për parandalimin e torturës, trajtimit ose dënimit të egër, çnjerëzor ose poshtërues me shqetesim te madh ka konstatuar se pjesa më e madhe e rekomandimeve per kete problematike, te bëra ndër vite nga Avokati i Popullit nuk kane gjetur zbatim. Avokati i popullit vazhdimisht ka rekomanduar mbylljen e IEVP-se se Krujes.
Ka neglizhencë të pajustifikuar nga ana e autoriteteve përgjegjëse për ngritjen e institucionit të posaçëm mjekësor për trajtimin e personave me çrregullime të shëndetit mendor që kanë kryer vepra penale për të cilat gjykatat kanë marrë vendim për “mjekim të detyruar në një institucion mjekësor” apo kanë caktuar masën shtrënguese “shtrim të përkohshëm në një institucion psikiatrik”, ndonëse për këtë problematikë Institucioni i Avokatit të Popullit u është drejtuar në mënyrë të përsëritur me rekomandime ministrave të drejtësisë dhe shëndetësisë. Gjithashtu kjo çështje ka zënë vend të rëndësishëm edhe në raportet vjetore të Institucionit të Avokatit të Popullit dhe në raportet e veçanta të Avokatit të Popullit në rolin e Mekanizmit Kombëtar për parandalimin e torturës, trajtimit ose dënimit të egër, çnjerëzor ose poshtërues, të cilat i janë dërguar edhe Kuvendit të Republikës së Shqipërisë.
Avokati i Popullit ka ngritur disa here zerin per ngritjen e Spitalit Forensik, si nje Institucion i Veçantë shëndetësor i cili duhet te plotësoje standardet për të funksionuar si i tillë.
Avokati i Popullit ne te gjitha rekomandimet e tij per kete problematikē ka vlerësuar se I.E.V.P. Krujë, nuk është një institucion i posaçëm mjekësor për trajtimin e personave me çrregullime të shëndetit mendor që kanë kryer vepra penale për të cilat gjykatat kanë marrë vendim për “mjekim të detyruar në një institucion mjekësor” apo kanë caktuar masën shtrënguese “shtrim të përkohshëm në një institucion psikiatrik”. Mbajtja e këtyre kategorive të personave në I.E.V.P. Krujë përbën shkelje të të drejtave kushtetuese dhe ligjore të tyre pasi vjen në kundërshtim me:
Diten e sotme Shqipëria u dënua me 15 mijë euro dëmshpërblim dhe 2,500 euro kosto gjyqësore nga Gjykata Europiane e të Drejtave të Njeriut për atë që gjykata e quajti trajtim çnjerëzor dhe degradues dhe heqje e paligjshme e lirisë për shtetasin A.Strazimiri, të cilin, gjykatat shqiptare e kanë mbajtur me mjekim të detyruar në spitalin e burgut në Tiranë në mungesë të një spitali të posaçëm për trajtimin e personave të sëmurë mendërisht, për të cilët gjykatat urdhërojnë mjekim të detyruar.
GJEDNJ në mënyrë unanime deklaroi se ka gjetur “një dhunim të nenit 3 (ndalimi i trajtimit çnjerëzor apo degradues) të Konventës Europiane për të Drejtat e Njeriut për shkak të kushteve të papërshtatshme të jetesës në spitalin e burgut ku z. Strazimiri është mbajtur i ndaluar nën kujdes të pamjaftueshëm psikiatrik, dhe dhunim të nenit 5 (e drejta për liri dhe siguri/e drejta për të ndalim të ligjshëm të vendosur shpejt nga një gjykatë), në veçanti për shkak të heqjes së vazhdueshme të lirisë së tij në një burg dhe jo në një institucion mjekësor për shkak se apeli i tij ndaj masës së ndalimit ka mbetur në pritje në Gjykatën e Lartë që nga viti 2016.
Në njoftimin për shtyp GJEDNJ vëren se ka një dështim të autoriteteve shqiptare për ndërtimin e një institucioni mjekësor për trajtimin e personave me sëmundje mendore të cilëve u është kufizuar liria me urdhër gjykate që kërkon mjekim të detyruar.
Shqipëria urdhërohet që të krijojë institucionet e përshtatshme për këtë problem dhe të sigurohet që ankuesi të marrë psikoterapi dhe jo vetëm ilaçe.
Në përfundim, Shqipëria u dënua të dëmshpërblejë ankuesin me 15 mijë euro si dhe të mbulojë 2,500 euro shpenzime gjyqësore.