24 Shtator 2022

Avokati I Popullit Merr Pjesë Në Tryezën Kundër Krimeve Të Urrejtjes Ndaj Lgbti


AVOKATI I POPULLIT MERR PJESË NË TRYEZËN KUNDËR KRIMEVE TË URREJTJES NDAJ LGBTI

Avokatja e Popullit Erinda Ballanca mori pjesë ditët e fundit në Tryezëm e Rrumbullakët mbi Krimin e Urrejtjes ndaj Personave LGBTI në Shqipëri.

Tryeza u organizua në Ministrinë e Shëndetësisë me mbështetjen e Bashkimit Europian dhe Këshillit të Europës dhe kishte si objektiv rishikimin tematik të Këshillit të Europës mbi këtë komunitet.

Në fjalën e saj, Avokatja e Popullit Erinda Ballanca u shpreh:

“Ju falemnderit për ftesën në këtë tryezë ku veç grupeve të interesit nuk mungojnë politikëbërësit.

Është thënë shpesh, në Shqipëri kemi ligje të mira e zbatim të pamjaftueshëm. Mendoj se kjo vlen për çdo fushë, nga ekonomia te rendi publik, nga kultura tek të drejtat e njeriut.

Kemi ligje të mira sepse kemi modele të mira e po ashtu sepse kemi miq të mirë që na asistojnë e na tregojnë rrugën si ta bëjmë të mirë legjislacionin tonë. Kemi zbatueshmëri që lë vend për përmirësim, sepse këtu jemi vetë ne ata që duhet të zbatojmë ç’është shkruar në ligjet e mira që kemi.

Krimi i urrejtjes jo vetëm ndaj komunitetit lgbti por në përgjithësi krimi I urrejtjes është I pranishëm tek ne, jo sepse nuk ka ligje që specifikisht e ndalojnë atë, por sepse siç duket, përveç ligjeve është e nevojshme edhe një kulturë e caktuar, një kuadër emancipimi shoqëror që të mos e lërë ligjin vetëm në dorën e masave shtrënguese, ndërgjegjësimit të organizatave të të drejtave të njeriut, apo rekomandimeve të shqetësuara të miqve tanë ndërkombëtarë.

Nevojitet pra edhe një mjedis I atillë ku ligji të jetë në habitatin e vet, ndërsa dhunimi I tij të jetë një përjashtim revoltues për shumicën e njerëzve. Por një mjedis I tillë, një kuadër I tillë, ndërtohet edhe ai përmes ngritjes së një superstructure ligjore që e merr përdore shoqërinë dhe e shtyn atë drejt përparimit, ndriçimit dhe emancipimit.

Avokati I Popullit është sigurisht një institucion tepër vocal kundër krimeve të urrejtjes, por edhe ndaj gjuhës së urrejtjes e cila I paraprin këtyre lloj krimeve të urryera. Nuk ka krim urrejtjeje pa një pararojë gjuhësore që e normalizon urrejtjen fillimisht duke e vokalizuar atë.

Ka qenë ndër përvojat e mia më trishtuese si Avokate e Popullit të Shqipërisë, të konstatoj së bashku me gjithë opinionin publik deri edhe anëtarë të Kuvendit të Shqipërisë, të përdorin foltoren e këtij institucioni themeltar të shtetit tonë, duke përdorur gjuhë urrejtjeje.

Ka qenë trishtues jo thjesht për faktin se kjo gjuhë u përdor, por për faktin se duke u toleruar një përfaqësues i vullnetit të qytetarëve të përdorë atë gjuhë, iu hap rruga e iu dha kartabianka gjithë urrejtësve latentë të trimërohen e ta kenë kollaj të kalojnë prej urrejtjes të folur a të menduar, në urrejtje të zbatuar.

Komuniteti LGBTI është një komunitet I ekspozuar ndaj këtyre lloj krimeve në shoqërinë tonë e cila vuan prej paragjykimesh të shumëfishta.

Së bashku me aktivistë të shquar dhe kurajozë të këtij komuniteti ne kemi qenë dhe jemi së bashku dorë për dore në këtë sfidë dhe unë jam krenare që në krye të institucionit të Avokatit të Popullit I kam këta aktivistë ndër aleatët më të mirë në përpjekjen tonë për mbrojtjen dhe promovimin e të drejtat e njeriut, të të gjithë njerëzve, edhe atyre nga komuniteti LGBTI.

Na duhet ta rrisim dhe forcojmë këtë aleancë, sepse misioni I saj nuk është privilegjimi I një kategorie të caktuar qytetarësh, por dhënia e ndihmës që ata të trajtohen e mbrohen në mënyrë të barabartë si çdo qytetar në republikën tonë. Kjo pra është një betejë për barazi dhe në demokracitë e vërteta, barazia në të drejta për të gjithë, është themel që mban në këmbë gjithë rendin ku të gjithë jemi strehuar.

Puna është e madhe dhe siç ceka në fillim, ajo është shumëplanëshe e nuk mund të konsiderohet e përmbyllur përmes miratimit të një pakete ligjore, apo përmirësimit të asaj çka ekziston. Duhet një vështrim rrënjësor në shkaqet e thella shoqërore të krimit të urrejtjes, që sikurse thashë e kanë burimin tek cilësia e edukimit dhe shkalla e emancipimit të shoqërisë sonë. E më pas, duhet kurajo e zell për t’I mjekuar rrënjët prej të cilave – pavarësisht se sa e kositim – mbin sërish e sërish krimi I urrejtjes.

Unë jam e sigurt se gjithsesi, shoqëria dhe institucionet tona e kanë vullnetin, dëshirën dhe mundësinë ta fitojnë këtë luftë”.