7 Shtator 2022

Deklarata E Rrjetit Europian Të Institucioneve Kombëtare Të Të Drejtave Të Njeriut Për Të Mbështetur Personat Që Largohen Nga Ukraina


DEKLARATA E RRJETIT EUROPIAN TË INSTITUCIONEVE KOMBËTARE TË TË DREJTAVE TË NJERIUT PËR TË MBËSHTETUR PERSONAT QË LARGOHEN NGA UKRAINA

Institucionet Kombëtare të të Drejtave të Njeriut (IKDNJ) janë aktorët kryesorë në këshillimin e qeverive, parlamenteve dhe aktorëve të tjerë kombëtarë dhe rajonalë për vendosjen e të drejtave të njeriut në qendër të legjislacionit dhe politikave për pritjen, mbrojtjen dhe integrimin e të gjithë individëve që largohen nga Ukraina.

Përgjigja e menjëhershme ndaj zhvendosjes nga Ukraina, ka treguar se një qasje e bazuar në të drejtat e njeriut ndaj migrimit të atyre që largohen nga lufta dhe persekutimi, nuk është vetëm e mundur, por edhe e nevojshme. Rrjeti Evropian I Institucioneve Kombëtare të të Drejtave të Njeriut (ENNHRI) bën thirrje për një përgjigje afatgjatë dhe të qëndrueshme në të gjithë Evropën, mbështetur tek solidariteti dhe respekti për të drejtat e njeriut.

Përmbledhje:

Mbi gjashtë milionë njerëz janë larguar nga Ukraina që nga 24 shkurti 2022 për të kërkuar mbrojtje në të gjithë Evropën dhe më shumë se shtatë milionë janë zhvendosur brenda vendit për të gjetur siguri. Sulmi i armatosur në Ukrainë nga Federata Ruse ka çuar në shumë viktima në mesin e popullatës civile, shkatërrimin e infrastrukturës dhe objekteve të rëndësishme dhe në përkeqësimin e situatës së përgjithshme humanitare dhe të të drejtave të njeriut në Ukrainë.

Pavarësisht përpjekjeve të rëndësishme në të gjithë Evropën për t'iu përgjigjur nevojave imediate të atyre që ikin nga Ukraina, IKDNJ-të vazhdojnë të identifikojnë shqetësimet urgjente për të drejtat e njeriut që duhet të adresohen. Ata janë mbështetur në mandatin e tyre të gjerë të të drejtave të njeriut për t’iu përgjigjur këtyre sfidave, duke hartuar rekomandime për pritjen dhe aksesin tek mbrojtja, duke u dhënë individëve informacion mbi të drejtat e tyre, duke monitoruar kushtet në objektet e përkohshme dhe në dhënien e opinioneve mbi propozimet ligjore e politikat përkatëse.

Nëpërmjet ENNHRI-it, IKDNJ-të Evropiane kanë punuar së bashku për t'iu përgjigjur shqetësimeve të reja pas sulmit të armatosur në Ukrainë, përmes deklaratave dhe shkëmbimit mes kolegëve. Gjithashtu, një delegacion i ENNHRI-it vizitoi kufirin Ukrainas-Polak në mars 2022 për të vëzhguar situatën e të drejtave të njeriut dhe për t’i ofruar mbështetje IKDNJ-së së Ukrainës. Në qershor 2022, një delegacion tjetër u takua me organizatat e shoqërisë civile dhe me IKDNJ-në e Polonisë për të bërë një pasqyrë të çështjeve të shumta të hasura lidhur me të drejtat e njeriut.

Bazuar në gjetjet dhe rekomandimet e IKDNJ-ve Evropiane, ENNHRI u bën thirrje autoriteteve kombëtare të trajtojnë çështjet urgjente lidhur me mbrojtjen e të drejtave të njeriut të të gjithë atyre që ikin nga Ukraina, si dhe të hartojnë dhe zbatojnë strategji afatgjata për integrimin e tyre, me qasje të bazuar në të drejtat e njeriut.

Rekomandime për adresimin e çështjeve urgjente të të drejtave të njeriut dhe trajtimin e diskriminimit:

Organizatat e shoqërisë civile (OSHC-të) dhe njerëzit në të gjithë Evropën kanë treguar mbështetje dhe solidaritet të jashtëzakonshëm ndaj presonave të larguar nga Ukraina, dhe kanë qenë në vijën e parë të gatishmërisë, duke ofruar ujë dhe ushqim, strehim të përkohshëm dhe informacione. Disa autoritete kombëtare dhe lokale kanë treguar gjithashtu udhëheqje në vendosjen e shpejtë të objekteve të pritjes, në protokollet e regjistrimit dhe në ofrimin e mbështetjes sociale emergjente për njerëzit vulnerabël. Në nivel rajonal, aktivizimi i Direktivës për Mbrojtjen e Përkohshme të Bashkimit Evropian (BE) dhe i Udhëzimeve operative përkatëse dhe iniciativat e tjera të Komisionit Evropian, kanë kontribuar në mbrojtje më të shpejtë dhe më të fortë në BE.

Megjithatë, që nga fillimi i luftës, IKDNJ-të në rajon gjithashtu identifikuan mangësi serioze në mbrojtjen e të drejtave të njeriut të atyre që largoheshin nga Ukraina. Këto përfshijnë probleme me aksesin për ujë, ushqim dhe kujdes mjekësor; qasje jokonsistente në mbrojtjen e përkohshme; rreziqe dhe nevoja që lidhen me dhunën me bazë gjinore dhe të drejtat e fëmijëve; mungësi në akomodimin e përshtatshëm dhe të sigurt; rrezikun e trafikimit dhe shfrytëzimit të qenieve njerëzore; mangësitë në aksesin e shërbimeve publike në vendet pritëse; dhe informacion të pamjaftueshëm për të drejtat e tyre. Shqetësime të ngjashme u ngritën edhe nga një sërë aktorësh të tjerë, si p.sh Kombet e Bashkuara, Këshilli i Evropës, OSBECE, IOM, dhe OSHC në Evropë.

Gjithashtu janë raportuar që në fillim akte diskriminimi dhe dhune në kufij ndaj minoriteteve dhe shtetasve të vendeve të treta, si për shembull ndaj romëve dhe personave me ngjyrë. ENNHRI shpreh shqetësim që grupet e margjinalizuara të larguara nga lufta përballen me një rrezik relativisht të shtuar për humbje jete, dhunë dhe mungesë të aksesit në mbrojtje.

ENNHRI u bën thirrje shteteve evropiane të sigurojnë që të gjithë ata që ikin nga Ukraina, pavarësisht nga kombësia, raca, origjina etnike, feja, orientimi seksual, identiteti gjinor ose çdo karakteristikë tjetër, të mund të kërkojnë mbrojtje dhe të kenë akses në procedurat dhe shërbimet përkatëse.

3

Rekomandime lidhur me përgjigjen ndaj nevojave dhe sfidave afatgjata:

Fatkeqësisht, gjendja aktuale e luftës dhe situata e të drejtave të njeriut në Ukrainë tregojnë se konflikti i armatosur dhe efektet e tij shkatërruese do të vazhdojnë, duke çuar në zhvendosje të mëtejshme dhe pamundësi për shumë njerëz për t’u kthyer në shtëpitë e tyre.

ENNHRI rekomandon që autoritetet publike të hartojnë dhe zbatojnë përgjigje më të qëndrueshme, të sigurojnë mbështetje financiare për organizatat e shoqërisë civile dhe aktorë të tjerë dhe të ofrojnë udhëzime më të forta mbi politikat dhe legjislacionin publik që do të sigurojnë përfshirjen dhe mbrojtjen afatgjatë të të drejtave të njeriut të atyre që ikin nga Ukraina.

IKDNJ-të Evropiane dhe Mbrojtësit e të Drejtave të Njeriut, veçanërisht në vendet fqinje me Ukrainën, kanë ngritur shqetësim mbi 'rraskapitjen nga solidariteti' dhe mungesën e qëndrueshmërisë së veprimeve që u ndërmorën menjëherë pas 24 shkurtit 2022, qoftë për shkak të burimeve të kufizuara ose koordinimit të pamjaftueshëm. Në fakt, shumë politika që mbështetën ata që iknin nga Ukraina – për shembull duke lejuar transport publik falas ose udhëtime me tren – ishin afatshkurtër. Ndihma financiare në shumë vende është ndalur ose pakësuar. Për më tepër, infrastruktura në kufij që ofron mbështetje humanitare është zvogëluar në shumë vende, duke shkaktuar kohë më të gjata të pritjes dhe përkeqësim të kushteve për ata që ikin nga Ukraina.

Sfidat e të drejtave të njeriut dhe aftësia e autoriteteve publike për t'iu përgjigjur atyre ndryshojnë nga njëri vend në tjetrin në Europë, në varësi të faktorëve të tillë si shkalla e kërkesave për mbrojtje, ekzistenca e sfidave me të cilat përballet popullsia vendase dhe kapaciteti ekonomik i vendeve pritëse. Megjithatë, janë identifikuar disa shqetësime të përgjithshme, të cilat në fund të fundit pengojnë përfshirjen e atyre që ikin nga Ukraina në shoqëritë pritëse. Këto çështje ndikojnë veçanërisht në grupet e margjinalizuara ose tek individët e grupeve vulnerabël, pasi sfidat me të cilat përballen përkeqësohen më tej në sajë të diskriminimit dhe mungesës dhe mundësive të barabarta në të gjithë Evropën.

Së pari, mungesa e banesave të përshtatshme dhe rritja e kostove të jetesës në rajon kanë bërë që shumë familje dhe individë të ikin nga Ukraina të jenë në rrezik strehimi, ose të jenë të detyruar të mbështeten përkohësisht në akomodime të papërshtatëshme. Së dyti, regjistrimi dhe aksesi në arsim për fëmijët ka qenë një sfidë në shumë vende, pasi zgjidhjet afatshkurtra nuk janë pasuar në dispozita që ofrojnë zgjidhje të qëndrueshme përsa i përket dipozitave të integrimit dhe mbajtjes në konsideratë të interest më të lartë të fëmijës. Një tjetër sfidë në këtë proces është nevoja për të marrë në konsideratë dallimet midis sistemit të arsimit dhe kualifikimit ukrainas dhe sistemeve të vendeve pritëse. Së treti, në shumë vende qasja ndaj shërbimeve publike si kujdesi shëndetësor dhe mbështetja psikologjike, sociale janë vështirësuar. Qasja ndaj informimit dhe kujdesit për traumat është gjithashtu veçanërisht e rëndësishme në kontekstin e mbledhjes së informacionit për mekanizmat e llogaridhënies dhe mbështetjen e aksesit të individëve në drejtësi. Së katërti, pavarësisht se u është dhënë e drejta e menjëhershme për të punuar në shumicën e vendeve evropiane, në praktikë njerëzit e larguar nga Ukraina janë përballur me rreziqe të shtuara ndaj shfrytëzimit dhe punës së detyruar, si dhe me probleme aksesi në tregun e punës, si rezultat I problematikave të lidhura me gjuhën, shkallën e lartë të papunësisë në vendet pritëse, ose diskriminimin. Këto sfida janë shtuar më tej nga vonesat në regjistrim dhe pengesat në sigurimin e dokumenteve ndaj aksesit të individëve në të drejtat e tyre.

Një tjetër sfidë është rritja e lëvizjeve dytësore të personave të larguar nga Ukraina, duke kaluar nga një vend evropian në tjetrin, si për shembull për t'u bashkuar me familjen ose për arsye punësimi ose studimi. Duke qenë se disa nga këto aspekte nuk janë të rregulluara në mënyrë uniforme në të gjithë Evropën, ato mund të ndikojnë mbi statusin ligjor të individëve dhe në perspektivat e tyre për integrim. Për aq sa është e mundur, ENNHRI beson që shtetet do të duhet të hartojnë politika që njohin dhe respektojnë autonominë e njerëzve të larguar nga Ukraina.

ENNHRI iu bën thirrje autoriteteve kombëtare që të parashikojnë çështjet e reja të të drejtave të njeriut dhe të jenë proaktive në parandalimin dhe adresimin e atyre çështjeve që rrezikojnë të përkeqësohen në terma afatmesëm dhe afatgjatë. Duke qënë se organizatat e shoqërisë civile kanë tentuar të plotësojnë boshllëqe të rëndësishme, ENNHRI argumenton se në fund të fundit është detyrë e autoriteteve kombëtare, që me mbështetjen e organizatave rajonale dhe ndërkombëtare, të sigurojnë zbatimin e politikave publike në vend. ENNHRI rekomandon që shtetet të lehtësojnë dhe të ofrojnë akses në fonde për Organizatat e Shoqërisë Civile kur ata ofrojnë mbështetje efektive në shërbimet publike.

Solidariteti rajonal është i nevojshëm për të siguruar përfshirjen e duhur të njerëzve të larguar nga Ukraina duke u mundësuar atyre të kontribuojnë në komunitetet pritëse dhe të jetojnë me dinjitet dhe autonomi. Vendet që strehojnë një numër të madh të personave të larguar nga Ukraina, duhet të mbështeten nga vendet e tjera, si dhe nga organizatat rajonale dhe ndërkombëtare, nëpërmjet financimeve, logjistikës, dhe ndihmave të tjera.

Autoritetet kombëtare dhe rajonale duhet të mbështeten në monitorimin, raportimin dhe në këshillat e ekspertëve të IKDNJ-ve evropiane dhe Mbrojtësve të tjerë të të Drejtave të Njeriut (HRD) për të adresuar urgjentisht çështjet e mësipërme. Siç vërehet në Rekommandimin 2021/1 të Komitetit të Ministrave të Këshillit të Evropës, “ Shtetet Anëtare duhet të sigurojnë që IKDNJ-të të gëzojnë një qasje të përshtatshme ndaj informacionit, politikëbërjes dhe procesit legjislativ, duke përfshirë konsultimet në kohë mbi ndikimin e të drejtave të njeriut tek projektligjet dhe strategjitë e politikave” ato “duhet të zbatojnë rekomandimet e IKDNJ-ve” dhe të sigurojnë ndjekjen e tyre efektive në kohën e duhur.

3

Për këtë arsye, ENNHRI iu bën thirrje të gjithë aktorëve që të mbështesin punën e IKDNJ-ve, në veçanti IKDNJ-së ukrainase dhe IKDNJ-ve në vendet fqinje, për të bashkëpunuar në mënyrë konstruktive në këtë drejtim.

Puna e IKDNJ-ve në situata konflikti është gjithnjë e më e rëndësishme, pasi ata janë aktorët kryesorë në sistemin kombëtar të “kontrollit dhe balancave”, dhe kontribuojnë në aksesin në drejtësi të viktimave të shkeljeve të të drejtave të njeriut. ENNHRI luan rol në lehtësimin e bashkëpunimit midis IKDNJ-së ukrainase dhe IKDNJ-ve në të gjithë Evropën, veçanërisht në vendet fqinje, pasi kjo mund të kontribuojë në identifikimin dhe trajtimin e çështjeve të përbashkëta dhe hartimin e rekomandimeve për autoritetet kombëtare dhe rajonale.

Rekomandime për rishikimin e qasjes së ardhshme evropiane për çështjet e azilit dhe migrimit:

Teksa ENNHRI mirëpret përgjigjet tejet pozitive dhe përpjekjet për t'i mbështetur personat që I largohen luftës në Ukrainë, ne kemi vërejtur shpeshherë trajtim diskriminues të individëve që kërkojnë mbrojtje ndërkombëtare ose që kalojnë kufijtë e jashtëm të Evropës.

Siç është trajtuar në raportin e fundit të ENNHRI-t, shkeljet e të drejtave të njeriut të migrantëve në kufi janë një çështje e qëndrueshme në Evropë, dhe se ekziston një klimë mosndëshkimi. Ndonëse situata në kufijtë e ndryshëm evropianë nuk është homogjene, mangësitë në llogaridhënie mund të vërehen në të gjithë Europën. Përgjigja ndaj zhvendosjes nga Ukraina nuk i eleminon mangësitë ekzistuese në respektimin e të drejtave të njeriut të emigrantëve që janë identifikuar në shumë vende evropiane; e megjithatë politikat e reja të migracionit, azilit dhe kufirit me fokus mbrojtjen e të drejtave të njeriut, janë jo vetëm të dëshirueshme por edhe të zbatueshme në praktikë.

ENNHRI u rekomandon shteteve evropiane të mbështesin dhe të zgjerojnë angazhimin e tyre në dhënien e mbrojtjes ndërkombëtare, të zbatojnë programe për përfshirjen e mbrojtje sociale të migrantëve, si dhe të promovojnë solidaritetin për personat që largohen nga konflikti dhe persekutimi. Qasja e bazuar tek të drejtat e njeriut ndaj migrimit duhet të zbatohet për të gjithë, pavarësisht se prej nga vijnë, statusit të tyre, dhe mënyrës se si kanë mbërritur në Evropë.

IKDNJ-të me ekspertizën dhe përvojën e tyre, janë të gatshme të mbështesin qeveritë dhe strukturat evropiane në rivendosjen e kornizave efektive të mbrojtjes për refugjatët dhe migrantët dhe t'i përafrojnë me detyrimet ndërkombëtare ndaj të drejtave të njeriut. Kjo mund të arrihet duke u angazhuar në bashkëpunime më të strukturuara, shkëmbime të rregullta dhe konsultime për projektligje me IKDNJ-të evropiane. Përgjigja ndaj migrimit të detyruar nga Ukraina duhet gjithashtu të shërbejë si bazë për negociatat në BE dhe në nivel kombëtar mbi politikat dhe legjislacionin për migracionin, azilin dhe kufijtë.