Avokati I Popullit Kërkon Realizimin Efektiv Të Të Drejtave Për Shtresën E Ish-Të Përndjekurve Politikë
Institucioni i Avokatit të Popullit ka ndjekur dhe trajtuar me vëmendje të veçantë në vijimësi problematikat që prekin shtresën e ish të dënuarve/përndjekurve politikë. Për të adresuar në veçanti shqetësimet e tyre e gjegjësisht: pagesës efektive të dëmshpërblimit, radhët e trashëgimtarëve, premisat ligjore, si dhe detyrimin për nxjerrjen e akteve nënligjore, për shkak edhe të ndjeshmërisë publike të këtyre çështjeve me iniciativën e institucionit është nisur një hetim administrativ.
Avokati i Popullit vlerëson se, përveç njohjes së të drejtave për këtë kategori, ato duhet të realizohen efektivisht nga shteti, brenda afateve të arsyeshme, dhe jo thjesht të deklarohen. Duhet bërë i mundur përshpejtimi i dhënies së përfitimeve apo dëmshpërblimeve për shtresën e ish-të përndjekurve politikë, duke vënë në vend të drejtat e shkelura dhe përmirësimin e cilësisë së jetesës së kësaj kategorie.
Në përfundim të këtij hetimi, nga ana jonë iu është rekomanduar organeve kompetente marrja e masave të nevojshme për:
• iniciimin e nismës ligjore për ndryshimin dhe përmirësimin e ligjit nr.9831, datë 12.11.2007 “Për dëmshpërblimin e ish të dënuarve politikë të regjimit komunist”, i ndryshuar, me qëllim garantimin e të drejtës së dëmshpërblimit të ish përndjekurve/dënuarve politikë dhe familjarëve të tyre;
• realizimin efektiv, të së drejtës për marrjen e kësteve të dëmshpërblimit për shtresën e ish të dënuarve/përndjekurve politikë dhe trashëgimtarëve të tyre, duke rritur vlerën e fondit të miratuar për këtë kategori;
• miratimin e VKM-së në zbatim të ligjit nr.9831, datë 12.11.2007 për miratimin e skemës së pensionit të veçantë për të internuarit dhe dëbuarit;
• krijimin e një databaze ku të përfshihen të dhënat e personave përfitues, të personave që kanë tërhequr dëmshpërblimet në vijimësi, fondi buxhetor përkatës, në kuadër të transparencës së procesit të dëmshpërblimit të kategorisë së ish të dënuarve politikë dhe pritshmërive për përmbylljen e tij në të ardhmen.