25 Nëntor 2021

Avokati I Popullit I Bashkohet Fushatës Kundër Dhunës Me Bazë Gjinore


AVOKATI I POPULLIT I BASHKOHET FUSHATËS KUNDËR DHUNËS ME BAZË GJINORE

Institucioni i Avokatit të Popullit i bashkohet Fushatës së 16 Ditëve të Aktivizmit Kundër Dhunës me Bazë Gjinore nën sloganin : “Bëje Botën Portokalli: Të ndalim dhunën ndaj grave TANI!”

Dhuna ndaj grave si një nga shkeljet më të përhapura të të drejtave të njeriut sot në botë, është intensifikuar më shumë që nga shpërthimi i COVID-19 dhe ka treguar se veçanërisht disa forma të dhunës siç është dhuna në familje, është shoqëruar me ndikime të rëndësishme negative në jetën e sigurt dhe në mirëqenien e tyre.

Dhuna me bazë gjinore mund të prekë çdo individ, pa dallim niveli ekonomik e social. Ajo është shkelje sistematike dhe e përhapur e të drejtave të njeriut, që kryesisht përjetohet nga gratë për faktin se ato janë gra.

Avokati i Popullit ju bën thirrje edhe njëherë të gjitha institucioneve publike, në nivel qendror dhe lokal dhe të gjithë aktorëve të shoqërisë, që të bëjnë përpjekje serioze për të parandaluar fenomenin e dhunës, që të kapërcehen sfidat dhe barrierat në mënyrë të tillë që gratë dhe vajzat të gëzojnë të drejta të barabarta në të gjitha fushat, të fuqizojnë sa më parë gratë duke ju ofruar akses më të madh në arsimim dhe punësim, në strehim dhe në të gjitha shërbimet e ofruara nga institucionet sociale, të kenë akses në drejtësi dhe të sigurojnë që zëri I tyre të dëgjohet dhe të merren masa për plotësimin e nevojave të tyre.

Në partneritet me qeverinë, organizatat ndërkombëtare dhe shoqërinë civile ne do të vazhdojmë të punojmë për t’i dhënë fund dhunës kundër grave dhe vajzave TANI !

Institucioni i Avokatit të Popullit, si institucioni më i madh i mbrojtjes dhe promovimit të të drejtave të njeriut në vend, riafirmon angazhimin e vet për të mbrojtur të drejtat e grave dhe vajzave për të jetuar pa dhunë.