Avokatja E Popullit Merr Pjesë Në Veprimtari Me Rastin E Ditës Botërore Të Fëmijëve
Avokatja e Popullit Erinda Ballanca ishte e ftuar sot në një aktivitet me në qendër fëmijët, organizuar me rastin e Ditës botërore të Fëmijëve me temë “Nga axhenda kombëtare në axhendën europiane të të drejtave të fëmijëve: Zërat e fëmijëve dhe të rinjve vlejnë”.
Aktiviteti u organizua me mbështetjen e Delegacionit të Komisionit Europian në Tiranë me pjesëmarrjen e organizatave të rëndësishme që veprojnë në këtë sektor, si Save the Children, World Vision, Terre des hommes, UNICEF etj. Gjithashtu në takim kishte edhe pjesëmarrës nga Ministria e Shëndetësisë dhe Çështjeve sociale, Agjencia Kombëtare e Fëmijëve etj.
Në takim, merrnin pjesë edhe një numër të rinjsh e fëmijësh të grupit 16+ të cilët adresuan pjesëmarrësit në lidhje me problematikat e tyre, nevojat që ata kanë si kategori dhe mënyrën sesi autoritetet shtetërore mund t’u qasen në mënyrë aktive dhe frytdhënëse këtyre nevojave e problematikave.
Avokatja e Popullit Ballanca, u shpreh se është e nevojshme që fëmijët dhe të rinjtë të jenë aktivë në identifikimin, njohjen dhe realizimin e të drejtave të tyre.
Ajo u përqëndrua te puna që Avokati i Popullit bën në këtë drejtim në partneritet me organizatat ndërkombëtare e vendore si dhe bisedoi me të rinjtë në lidhje me perspektivën e realizimit të objektivave tanë shoqërorë mbi fuqizimin e rolit të të rinjve dhe fëmijëve dhe krijimin e një realiteti më miqësor e zhvillues për ta.