Avokati I Popullit Reagon Për Ngjarjen E Rëndë Në Fier
Avokati i Popullit reagon ndaj ngjarjes së tmerrshme të ndodhur në një fshat të Fierit, ku një i mitur dyshohet se është rrëmbyer, mbajtur peng e më pas vrarë nga një person me precedentë penalë e me probleme të shëndetit mendor.
Avokati i Popullit u kërkon autoriteteve ligjzbatuese të zbardhin sa më parë detajet e kësaj ngjarjeje e të ndëshkojnë shkaktarin ose shkaktarët e saj.
Gjithashtu Avokati i Popullit ngre zërin dhe tërheq vëmendjen për nevojën e shtrirjes së kontrollit në territor të autoriteteve policore, mbajtjen nën monitorim të personave me precedentë penalë që paraqesin rrezikshmëri, identifikimin e problemeve dhe rrezikshmërisë së tyre gjatë burgimit, mungesën e shërbimeve në nivel komunitar për personat me probleme të shëndetit mendor, institucionalizimin e tyre, si dhe shtimin e kujdesit ndaj të miturve.
Kjo ngjarje e rëndë duhet të shërbejë si një këmbanë alarmi dhe pikënisje për një shndërrim rrënjësor të punës parandaluese ndaj kriminalitetit e dhunës mbi fëmijët në vendin tonë.