Avokati I Popullit Merr Pjesë Në Delegacionin E Lartë Të Drejtuesve Të Sistemit Të Drejtësisë Që Po Viziton Gjermaninë
Avokatja e Popullit Erinda Ballanca po merr pjesë në një vizitë në Gjermani, si pjesë e një delegacioni të përfshirë në programin e dialogut për përfaqësues të lartë të sistemit të drejtësisë në Shqipëri.
Delegacioni i nivelit të lartë të drejtuesve të institucioneve kryesore të sistemit të drejtësisë, prej disa ditësh po kryen një vizitë për të shkëmbyer përvojat, pranë institucioneve gjermane të drejtësisë si edhe në Gjykatën Evropiane për të Drejtat e Njeriut në Strasburg, aktivitet i organizuar nga Fondacioni Konrad Adenauer.
Pjesëmarrës në këtë delegacion përveç Avokates së Popullit janë edhe drejtuesit e Gjykatës Kushtetuese, Gjykatës së Lartë, Këshillit të Lartë Gjyqësor, Këshillit të Lartë të Prokurorisë, Inspektoratit të Lartë të Drejtësisë, Prokurorisë së Përgjithshme, Shkollës së Magjistraturës dhe Qendrës Europiane në Shqipëri.
Delagacioni ka zhvilluar vizita dhe takime në Institutin Max-Planck për të drejtën e krahasuar publike ndërkombëtare, Gjykatën Administrative të Baden-Vyrtemberg-ut, Gjykatën Kushtetuese Federale Gjermane, Gjykatën Europiane të të Drejtave të Njeriut në Strasburg, Shoqatën Federale të Avokatëve si dhe Fondacionin Konrad Adenauer.