12 Tetor 2021

Avokati I Popullit Shpreh Shqetësimin Mbi Incidentin Me Implikimin E Dy Mësueseve


AVOKATI I POPULLIT SHPREH SHQETËSIMIN MBI INCIDENTIN ME IMPLIKIMIN E DY MËSUESEVE

Avokati i Popullit dhe Seksioni i Përgjithshëm pranë këtij institucioni është njohur me shqetësim në lidhje me ngjarjen e papërshtatshme dhe raportimin për konfrontim fizik, në të cilin u përfshinë dy mësuese të arsimit parauniversitar në Tiranë si dhe familjarë të tyre në afërsi të një institucioni arsimor.

Ndërkohë që e dënon këtë ngjarje dhe u kërkon autoriteteve të marrin masat e duhura për trajtimin e saj, Avokati i Popullit dhe Seksioni i tij i Përgjithshëm kërkon që të tregohet tolerancë zero për rastet e mugesës së ektikës ndër anëtarët e stafeve akademike pasi ata janë e duhet të jenë frymëzuesit e modeleve më të mira të sjelljes në ushtrimin e detyrave të tyre. Edukimi me vlerat njerëzore është detyrë parësore e mësuesve dhe madje edhe më i rëndësishëm se aftësimi profesional.

Me besimin e dëshirën se një ngjarje e tillë është e do të mbetet sporadike, Avokati i Popullit çmon se figura e mësuesit sot më shumë se kurrë ka nevojë të rikuperojë reputacionin e humbur dhe të shndërrohet në një model frymëzimi. Sigurisht një ngjarje e tillë nuk kontribuon, por në të kundërtën, zhvlerëson përpjekjet e vazhdueshme të pjesës më të madhe të stafeve akademike për të qenë një shembull moral e profesional për brezin e ri.

Për këtë arsye, Avokati i Popullit dhe Seksioni i Përgjithshëm në këtë institucion, i nxit mësuesit shqiptarë të tregojnë përmbajtje dhe etikë në sjelljen e tyre e cila është e një natyre specifike pasi shërben si një shembull edukimi për nxënësit e tyre.

Po ashtu, Avokati i Popullit u kërkon autoriteteve arsimore dhe atyre të rendit që të garantojnë sigurinë e mësuesve në punë dhe t’u ofrojnë atyre garancitë e duhura për mbrojtjen e dinjitetit dhe autoritetit të tyre sa herë që ai mund të vendoset në diskutim.