Avokati I Popullit Ka Nisur Hetim Administrativ Ne Lidhje Me Rastin E Dhunes Ndaj Gruas
Nisur nga kronika e transmetuar në TV Klan në emisionin "Stop" të datës 21 shtator 2021, Avokati i Popullit është njohur me rastin e përsëritur të dhunës së ushtruar në një familje nga bashkëjetuesi ndaj gruas në prani të dy fëmijëve të saj të mitur.
Bazuar në ligjin “Për Avokatin e Popullit”, institucioni menjëherë ka filluar me iniciativë trajtimin e këtij rasti duke nisur hetimin administrativ.
Avokati i Popullit ka kontaktuar me denoncuesen viktimë të dhunës duke i marrë pëlqimin për trajtimin e rastit nga ana e institucionit, si dhe duke i ofruar këshillim dhe gatishmëri për trajtimin e mëtejshëm të ketij rasti për referim apo mbështetje.
Seksioni i Përgjithshëm i Avokatit të Popullit ka nisur edhe një monitorim të situatës së dhunes në vend, të funksionimit të Mekanizmave të Koordinuar të Dhunës, të nivelit të përgjigjes që institucionet përgjegjëse u japin viktimave të dhunës në familje dhe dhunës me bazë gjinore.
Institucioni i Avokatit të Popullit kërkon nga të gjithë anëtarët e Mekanizmave të Koordinuar kundër dhunës, të sigurojnë mbrojtje të menjëhershme dhe mbështetje për të gjitha gratë e vajzat viktima të dhunës në marrëdhëniet familjare.
Institucioni i Avokatit të Popullit nisur nga rastet me te fundit te vrasjeve te grave, bën thirrje të merren masa urgjente në mbrojtje të jetës së grave dhe vajzave nga çdo formë e dhunës së ushtruar ndaj tyre.