21 Maj 2021

Avokati I Popullit Ka Nisur Me Iniciativë Rastin E Bërë Publik Në Media Mbi Dhunimin E Shtetasit Maroken


AVOKATI I POPULLIT KA NISUR ME INICIATIVË RASTIN E BËRË PUBLIK NË MEDIA MBI DHUNIMIN E SHTETASIT MAROKEN

Avokati i Popullit ka nisur me iniciativë konform dipozitave të ligjit nr. 8454, datë 04.02.1999 “Për Avokatin e Popullit”, të ndryshuar, rastin e bërë publik në disa media ditën e sotme, më 21.05.2021, i cili lidhet me denoncimin e bërë nga shtetasi maroken El Mahdi Habip Nouak, se është dhunuar në ambientet e Komisariatit të Policisë Durrës.

Me urdhër të Avokatit të Popullit u dërgua në Drejtorinë Vendore të Policisë Durrës një grup pune për të bërë verifikimin e pretendimeve të ngritura nga shtetasi El Mahdi Habip Nouak. Nga veprimet e para të hetimit aministrativ të kryera në Drejtorinë Vendore të Policisë Durrës dhe në Komisariatin e Policisë Durrës, si pyetja e disa drejtuesve dhe punonjësve të policisë që kanë kryer veprime lidhur me këtë shtetas, këqyrja e dokumentacionit të administruar nga strukturat e policisë (elektronik dhe shkresor), si dhe pyetja e shtetasit El Mahdi Habip Nouak rezultoi se:

Në Sallën Operative të DVP Durrës, më datë 19.05.2021, rreth orës 07:28 është njoftuar nga Shërbimi i Urgjencës së Spitalit Rajonal Durrës se kishin një problem me një shtetas të huaj për të cilin kërkonin mbështetjen e policisë.

Pas këtij njoftimi është urdhëruar Patrulla e Përgjithshme për shkuar menjëherë në Shërbimin e Urgjencës dhe ofruar ndihmë personelit mjekësor. Sapo shërbimi i policisë ka shkuar në vendin e kërkuar, personeli shëndetësor e ka informuar se një shtetas i huaj kishte qëndruar gjatë natës në spital për ndihmë mjekësore dhe në mëngjes është larguar, por ishte rikthyer përsëri duke i shkaktuar shqetësime këtij personeli dhe krijuar trazira në ambientet e urgjencës.

Ndodhur në këto kushte nga shërbimet e policisë është bërë shoqërimi në ambientet e Komisariatit të Policisë Durrës të shtetasit në fjalë, me gjeneralitete të vetëdeklaruarara si më sipër cituar, me shtetësi marokene dhe me moshë 29 vjeç.

Gjatë shoqërimit në komisariat tek ky shtetas janë konstatuar shenja dhune, të cilat janë pasqyruar edhe në raportin e shoqërimit të tij. Sipas tij shenjat e dhunës i ishin shkaktuar nga disa persona, të cilëve u kishte kërkuar para për ndihmë pranë një lokali në qytetin e Durrësit. Nga punonjësit e policisë atij i është marrë ankim në cilësinë e të dëmtuarit akuzues, mbajtur procesverbal mbi këqyrjen e jashtme të tij dhe përpiluar vendimi për kryerjen e ekspertimit mjekoligjor. Nga verifikimet e kryera nga punonjësit e këtij komisariati në vijim të ndjekjes së ankimit të bërë nga ky shtetas rezultoi se ai ishte dhunuar nga shtetasit E.V. dhe K.H., të cilët punonin si kamarierë në një lokal në lagjen nr. 6, Durrës.

Shtetasit E.V. dhe K.H. janë shoqëruar në ambientet e komisariatit për sqarimin e këtij rasti dhe janë pyetur me cilësinë e personit ndaj të cilit zhvillohen hetime. Sipas deklarimeve të tyre shtetasi maroken kishte shkuar me sy të nxirë, në gjendje të dehur në ambientet e lokalit ku ata punonin dhe kishte shqetësuar klientët duke u lypur para. Ata i kanë kërkuar atij që të dalë nga ambientet e lokalit e të largohej, por ai ka kundërshtuar duke i shtyrë e goditur. Në kushtet e vetëmbrojtjes ata e kanë goditur atë duke i shkaktuar dëmtime.

Në vijim të veprimeve hetimore nga punonjësit e policisë janë sekuestruar edhe pamje filmike, një video në cilën është filmuar momenti i përleshjes së shtetasit moroken me dy kamarierët, e cila është administruar nga ana jonë.

Sqarojmë se nga pyetja e bërë shtetasit maroken nga punonjësit e Avokatit të Popullit, ai pohoi se ishte dhunuar në një lokal nga kamarierët.

Në përfundim të veprimeve procedurale strukturat e Komisariatit të Policisë Durrës kanë proceduar penalisht shtetasit E.V. dhe K.M. për veprën penale ‘‘Plagosja e lehtë me dashje” dhe materialet me shkresën nr. 3769 prot., datë 21.05.2021 i janë referuar Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Durrës.

Meqënëse ky shtetas ka qenë pa dokumentacion të rregullt në territorin shqiptar në datën 19.05.2021 është shoqëruar në ambientet e Komisariatit të Policisë Kufitare Durrës. Pasi është dorëzuar në këtë komisariat, ai është larguar por nuk dihet se në çfarë rrethanash.

Përveç sa më sipër nga këqyrja e sistemit elektronik të Sallës Operative të DVP Durrës rezultoi se për këtë shtetas maroken ishin administruar edhe në disa raste të tjera telefonata nga qytetarë të ndryshëm të cilët kanë njoftuar se ai ishte konfliktuar me kalimtarë të rastit dhe konkretisht:

Njoftimi i bërë nga një qytetar në datën 19.05.2021, në orën 20:30 se në vendin e quajtur “Sheshi Pranvera” një shtetas i huaj është konfliktuar me kalimtarë të rastit. Pasi në vend ka shkuar Patrulla e Policisë, ka konstatuar të njëjtin shtetas i cili ishte në gjendje të dehur dhe gjatë kontrollit fizik i kanë gjetur dhe sekuestruar në cilësinë e provës materiale një sasi të vogël lëndë narkotike "cannabis sativa". Për këtë rast shtetasi maroken u procedua penalisht në gjendje të lirë për veprën penale “Prodhim dhe shitje të lëndëve narkotikeve”.

Njoftimi i bërë në datën 17.05.2021, ora 19:26 është kërkuar ndihma e një Patrulle Policie për të larguar shtetasin moroken i cili ishte në gjendje të dehur para DVP Durrës.

Përveç sa më sipër, nga punonjësit e policisë u informuam se ky shtetas në disa raste është paraqitur në Shërbimin e Urgjencës së Spitalit Rajonal Durrës për të marrë ndihmë mjekësore duke qenë në gjendje të dehur apo droguar.

Nga hetimi administrativ i kryer deri më tani të këtij rasti rezulton se pretendimet e bëra publike në media nga shtetasi maroken El Mahdi Habip Nouak se është dhunuar nga policia nuk provohen. Po kështu nuk rezulton që ky shtetas të jetë arrestuar apo ndaluar nga strukturat e DVP Durrës në asnjë rast, madje edhe në rastin kur është kapur me lëndë narkotike në datën 19.05.2021, për të cilën është proceduar penalisht në gjendje të lirë.

Në vijim të kryerjes së një hetimi administrativ të plotë dhe të gjithanshëm do të vijojmë bërjen e verifikimeve në Shërbimin e Urgjencës së Spitalit Rajonal Durrës dhe në Komisariatin e Policisë Kufitare Durrës.