7 Dhjetor 2020

Avokati I Popullit Dënon Gjuhën Seksiste Në Media


AVOKATI I POPULLIT DËNON GJUHËN SEKSISTE NË MEDIA

Institucioni i Avokatit të Popullit shpreh shqetësim lidhur me respektimin e etikës gjatë një debati televiziv të transmetuar në një emision me shikueshmëri të lartë në një Televizion Kombëtar.

Institucioni i Avokatit të Popullit vlerëson se është i patolerueshëm përdorimi i gjuhës seksiste dhe fyese kundër të ftuarve që janë gra, duke i intimiduar dhe përdorur etiketime që theksojnë stereotipet gjinore në shoqëri.

Gjuha seksiste është shprehje e maskulinitetit dhe një shprehje e dhunës me bazë gjinore. Ajo është një shkelje e të drejtave të njeriut dhe përjetohet nga gratë e vajzat vetëm për arsyen se janë të gjinisë femërore.

Gratë që sfidojnë ose devijojnë nga ajo që vlerësohet si vendi i tyre "i duhur" në shoqëri, mund të përballen me seksizëm dhe misogjeni dhe kjo është ajo çka u vu re gjatë debatit televiziv.

Institucioni i Avokatit të Popullit e quan të papranueshme sidomos përdorimin e gjuhës seksiste pikërisht gjatë ditëve kur shumica e vendeve anëtare të Kombeve të Bashkuara janë duke zhvilluar Fushatën e 16 Ditëve të Aktivizmit kundër dhunës me bazë gjinore, anembanë botës.

Avokati I Popullit ka bindjen se barazia gjinore është thelbësore për mbrojtjen e të drejtave të njeriut, funksionimin e demokracisë dhe qeverisjen e mirë, respektimin e sundimit të ligjit dhe promovimin e mirëqenies për të gjithë.

Një nga format më të dënueshme në të cilat manifestohet seksizmi, sidomos në një debat publik, është injorimi i argumentit dhe mendimit të një debatuesi vetëm sepse është grua dhe reduktimi i cilësive të saj vetëm tek gjinia e saj.

Avokati i Popullit e dënon këtë qasje e po ashtu inkurajon gratë dhe vajzat që sulmohen publikisht, që të kundërpërgjigjen përmes argumentimit dhe duke mënjanuar çdo formë të riciklimit të agresionit verbal.

Institucioni i Avokatit të Popullit bën thirrje të merren masa për ta parandaluar dhe luftuar seksizmin dhe manifestimet e tij në sferat publike dhe private, të luftohet agresioni verbal e intimidimi për shkak të gjinisë apo për çfarëdo shkaku tjetër, si dhe të sigurohet mbrojtja e respektimi i të drejtave të grave e vajzave në shoqërinë tonë.