27 Mars 2020

Komiteti I Ekspertëve Mbi Mjedisin E Medias Dhe Reformën Pranë Këshillit Të Evropës, Thirrje Vendeve Për Të Garantuar Lirinë E Shprehjes Dhe Të Informimit Për Mediat E Pavarura Gjatë Pandemisë Së Covid-19


KOMITETI I EKSPERTËVE MBI MJEDISIN E MEDIAS DHE REFORMËN PRANË KËSHILLIT TË EVROPËS, THIRRJE VENDEVE PËR TË GARANTUAR LIRINË E SHPREHJES DHE TË INFORMIMIT PËR MEDIAT E PAVARURA GJATË PANDEMISË SË COVID-19

Komiteti i Ekspertëve mbi Mjedisin e Medias dhe Reformën pranë Këshillit të Evropës (KiE), në një deklaratë publike lidhur me lirinë e shprehjes dhe informimin në kohë krize, vendos theksin mbi rolin e rëndësishëm të medias për të siguruar informimin e publikut në mënyrë të saktë dhe në kohën e duhur, si dhe për të monitoruar masat e marra në përgjigje të kërcënimit global shëndetësor, gjatë periudhës së pandemisë të shkaktuar nga COVID-19.

Për më tepër, Komiteti evidenton detyrimin e autoriteteve shtetërore për t’i kushtuar një vëmendje të veçantë sigurimit të kushteve të përshtatshme të punës për gazetarët, përfshirë mbrojtjen shëndetësore për çdo rrezik të shkaktuar nga virusi gjatë ushtrimit të detyrës.

Qendrimi i Komitetit të Ekspertëve të KiE vjen në frymën e një sërë rekomandimesh, rezolutash, deklaratash e udhëzimesh të KiE lidhur me rolin dhe mbrojtjen e medias, por edhe me detyrimet e përgjegjësitë e kësaj të fundit në kohë krize. Në thelb të këtyre akteve përcillet nevoja për dialog dhe bashkëpunim mes qeverive, medias dhe shoqërisë civile, që mund të kontribuojë në përpjekjet për të garantuar lirinë e shprehjes dhe të informimit në kohë krize.

Më poshtë deklarata e plotë e Komitetit të Ekspertëve mbi Mjedisin e Medias dhe Reformën pranë Këshillit të Evropës.

Liria e shprehjes dhe informimi në kohë krize

Zhvillimi i pandemisë së Coronavirusit (COVID-19) po shkakton një gjendje të emergjencës shëndetësore publike. Në këtë periudhë kur kemi të bëjmë me një shqetësim të madh publik, është tepër e rëndësishme për vendet anëtare të njohin rolin kryesor të mediave të pavarura.

Tani më tepër se kurrë na nevojitet gazetari e besueshme, e bazuar në standardet e etikës profesionale,për t’a mbajtur publikun të informuar dhe për të shqyrtuar masat e marra në përgjigje të kërcënimit global shëndetësor. Kemi nevojë për informacion të saktë, përfshirë kërkime të thelluara nga gazetarët e shkencave, për t’i bërë ballë thashethemeve apo informacionit të gabuar që mund të shkaktojë panik. Kjo mund të lehtësohet duke krijuar forume për dialog mes qeverive dhe përfaqësuesve të medias.

Në përputhje me Udhëzimet e Këshillit të Evropës për mbrojtjen e lirisë së shprehjes dhe informimit në kohë krize, situata e krizës nuk duhet të përdoret si pretekst për të kufizuar aksesin e publikut në informacion. Shtetet nuk duhet të zbatojnë asnjë kufizim të lirisë së medias, përtej kufijve të autorizuar nga neni 10 i Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut.

Shtetet anëtare, sëbashku me përfaqësuesit e medias, duhet të bëjnë përpjekje për të siguruar një mjedis të favorshëm për gazetarinë cilësore, në përputhje me standardet e përcaktuara nga Rekomandimi i Këshillit të Evropës. Në këto rrethana, vëmendje e veçantë duhet t’i kushtohet sigurimit të kushteve të përshtatshme të punës për gazetarët, përfshirë dhe mbrojtjen shëndetësore për çdo rrezik të shkaktuar nga virusi gjatë ushtrimit të detyrës.

Liria e shprehjes, pavarësia e medias dhe diskutimet e hapura, në vend të kontrollit të informacionit, janë parimet kryesore në themel të demokracisë Evropiane, të cilat do të na lejojnë të kapërcejmë sfidat e mëdha me të cilat po përballen vendet tona.