Informacion Lidhur Me Çështje Të Të Drejtave Të Njeriut Gjatë Situatës Së Pandemisë Së Covid-19
INFORMACION LIDHUR ME ÇËSHTJE TË TË DREJTAVE TË NJERIUT GJATË SITUATËS SË PANDEMISË SË COVID-19
Institucioni i Avokatit të Popullit, në përmbushje të misionit të tij kushtetues, mbrojtjes dhe garantimit të të drejtave dhe lirive themelore të shtetasve shqiptarë dhe të huajve që banojnë në territorin e RSH, veçanërisht në këtë kohë mjaft të vështirë që po kalon vendi për shkak të përhapjes sësëmundjes infektive COVID-19, është duke monitoruar me shumë kujdes masat e marra nga autoritetet shtetërore për parandalimin e përhapjes së kësaj sëmundje infektive, si edhe rastet e ndryshme të mosrespektimit apo mosgarantimit të të drejtave themelore të njeriut.
Shpallja e gjendjes së epidemisë e ka vendosur vendin në një situatë e cila ka shkaktuar ndërprerjen e aktivitetit të përgjithshëm shoqëror dhe ekonomik. Megjithatë, duke qënë të vetëdijshëm se të drejtat e njeriut nuk mund të jenë dytësore edhe në një situatë epidemie apo pandemie, si edhe në funksion të ushtrimit të detyrës kushtetuese që na është besuar, më poshtë paraqiten disa informacione/sqarime për të gjithë qytetarët, të cilat vlerësojmë se janë të nevojshme në situatën që po kalon jo vetëm Shqipëria, por edhe një pjesë e vendeve të botës.
***
Virusi i njohur si “Coronavirus”, shkakton tek njeriu një sëmundje infektive të mushkrive e cila nga Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH) është emërtuar si sëmundja “COVID-19”. Më datë 31 Janar 2020 Organizata Botërore e Shëndetësisë shpalli gjendjen e emergjencës shëndetësore globale, për shkak të përhapjes së këtij virusi me ritme tejet të shpejta. Më pas, si pasojë e përhapjes së tij me ritme e pasoja të paparashikuara, më datë 11 Mars 2020, Organizata Botërore e Shëndetësisë shpalli gjendjen e pandemisë botërore.
Baza ligjore e aplikueshme në rastet e epidemive/pandemive
Sipas përkufizimit të OBSH, pandemia është përhapja masive e sëmundjes ngjitëse, e cila i kalon kufijtë e një shteti, duke përfshirë disa shtete dhe më shumë se një kontinent.
Rregullat dhe aktivitetet për zbulimin në kohë, evidentimin, parandalimin, kontrollin, eliminimin dhe zhdukjen e sëmundshmërisë dhe të vdekshmërisë nga infeksionet dhe sëmundjet infektive në Republikën e Shqipërisë, përcaktohen në ligjin nr. 15/2016 “Për parandalimin dhe luftimin e infeksioneve dhe sëmundjeve infektive” .
Ligji parashikon se cilat janë parimet që duhet të respektohen për parandalimin dhe luftimin e infeksioneve dhe sëmundjeve infektive (neni 4). Konkretisht, sipas këtyre parimeve, parandalimi i sëmundjeve ngjitëse është i detyrueshëm, ofrohet falas për çdo person, pa asnjë lloj diskriminimi në të gjithë territorin e RSH. Çdo person ka të drejtë të përfitojë nga masat për mbrojtjen nga sëmundjet infektive, të mjekohet falas në çdo institucion shëndetësor publik apo jopublik, si dhe detyrohet të zbatojë masat e përcaktuara dhe të urdhëruara nga organet kompetente, për mbrojtjen nga sëmundjet infektive.
Ky ligj përcakton kufizimin e disa prej të drejtave të qytetarëve, me qëllim mbrojtjen e shëndetit publik. Kufizime të tilla mund të jenë mbyllja e shkollave; mbyllja e aktiviteteve jopublike apo publike; anulimi i grumbullimeve masive në vende të mbyllura apo të hapura; kufizimi apo ndalimi i lëvizjeve me mjetet e transportit publik; kufizimi i lëvizjeve brenda vendit, etj.
Autoriteti publik i autorizuar nga ky ligj për kufizimin e disa të drejtave në rastin e një pandemie, ështëMinistri përgjegjës për shëndetësinë, si edhe Këshilli i Ministrave. Ky ligj përcakton që masat kufizuese duhet të kenë për qëllim mbrojtjen e popullatës nga sëmundja përkatëse.
Cilat janë të drejtat që mund të kufizohen gjatë një situate pandemie?
Rregullat që aplikohen gjatë periudhës së pandemisë kanë për qëllim ndërgjegjësimin dhe detyrimin e qytetarëve për të mos u angazhuar në aktivitete të cilat përbëjnë rrezik për përhapjen e sëmundjes, duke vendosur edhe kufizime në ushtrimin e disa të drejtave. Këto rregulla përfshijnë edhe të drejtën e autoriteteve shtetërore shëndetësore për të identifikuar qytetarët të cilët potencialisht mund të jenë mbartës të sëmundjes, dhe për të ushtruar tek ta kontrollet e nevojshme shëndetësore. Të gjitha këto veprime të autoriteteve duhet të kryhen duke respektuar në çdo rast të drejtat e njeriut.
Në nenin 7, pikat 4 dhe 5 të ligjit nr.15/2016 “Për parandalimin dhe luftimin e infeksioneve dhe sëmundjeve infektive”, parashikohen disa nga masat kufizuesepër të mbrojtur popullatën nga sëmundjet infektive që kanë impakt në shëndetin e saj, të cilat miratohen nga ministri përgjegjës për shëndetësinë:
a) mbyllja e shkollave;
b) mbyllja e aktiviteteve jopublike apo publike;
c) anulimi i grumbullimeve masive në vende të mbyllura apo të hapura;
ç) kufizimi apo ndalimi i lëvizjeve me mjetet e transportit publik;
d) kufizimi i lëvizjeve brenda vendit.
Masa të tjera të veçanta, të ndryshme nga ato të përcaktuara më lart përcaktohen me vendim të Këshillit të Ministrave, me propozimin e ministrit përgjegjës për shëndetësinë.
Cilat janë të drejtat që nuk mund të kufizohen në një situatë të pandemisë?
Në Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë (neni 175, pika 1) parashikohet se gjatë gjendjes së luftës ose gjendjes së jashtëzakonshme nuk mund të kufizohen të drejtat dhe liritë si vijon:
Neni 15 – parimet dhe të drejtat e liritë themelore të njeriut;Neni 18 – e drejta e mosdiskriminimit;Neni 19 – e drejta e shtetësisë;Neni 20 – të drejtat e pakicave kombëtare;Neni 21 – e drejta e jetës;Neni 24 – liria e ndërgjegjes dhe e besimit fetar;Neni 25 – ndalimi i torturës, dënimit apo trajtimit mizor, çnjerëzor poshtërues;Neni 29 – e drejta e mosdënimit pa ligj;Neni 30 – e drejta e mosdënimit pa vendim të formës së prerë të gjykatës;Neni 31 – të drejtat e të pandehurit në procesin penal;Neni 32 – e drejta e mosdetyrimit për të dëshmuar kundër vetes ose familjes ose për të pohuar fajësinë;Neni 34 – e drejta e mosdënimit më shumë se një herë për të njejtën vepër penale;Nei 39/1 – e drejta e mosdëbimit nga territori i shtetit;Neni 41/1,2,3 dhe 5 – e drejta e pronës private;Neni 42 – e drejta për një proces të rregullt ligjor;Neni 43 – e drejta e ankimit ndaj vendimeve gjyqësore;Neni 48 – e drejta e ankimit pranë autoriteteve publike;Neni 54 – e drejta e mbrojtjes së veçantë nga shteti për fëmijët, të rinjtë, gratë shtatzëna dhe nënat e reja; Neni 55 – e drejta për kujdes shëndetësor nga shteti, si dhe për sigurim shëndetësor.
Ndërkohë në po këtë nen përcaktohet se cilat të drejta prek gjendja e fatkeqesise natyrore duke përjashtuar të tjerat.
Çfarë është karantina dhe izolimi?
“Karantina” është kufizimi i lëvizjeve të njerëzve të shëndetshëm, të cilët kanë qenë në kontakt me të sëmurët ose burimin e infeksionit të sëmundjeve infektive të rrezikshme dhe qëndrimi i tyre në një mjedis të caktuar.
Aktualisht në RSH format e aplikuara tëkarantinës janë:
- Vetëizolimi ose vetëkarantinimi - e cila është një masë që me vendim të autoriteteve shtetërore po zbatohet nga personat e afërt me personat e identifikuar si të infektuar nga Coronavirus, apo nga personat që kanë pasur kontakt me ta; nga personat të cilët janë rikthyer nga vendet që OBSH i ka klasifikuar si vende me rrezik të lartë; si edhe nga pjesa më e madhe e popullsisë, të cilët duhet të qëndrojnë nëambjentet e banesavetëtyre;
- Vendosja në karantinë– e cila është një masë e detyrueshme që zbatohet për të gjithë personat e identifikuar si të infektuar nga Coronavirus, ndërkohë që u ofrohen edhe të gjithë shërbimet e nevojshme mjekësore.
“Izolim” është izolimi i personave të dyshuar apo të mundshëm për prekje nga infeksione apo sëmundjet infektive, si dhe personave të infektuar nga të shëndetshmit, për të penguar përhapjen e infeksionit.
A janë të autorizuara autoritetet policore për të detyruar qytetarët të qëndrojnë në karantinë?
Masa për vendosjen në karantinëështë e detyrueshme, dhe mosrespektimi i saj përbën kundravajtje administrative. Kjo do të thotë se autoritetet shtetërore kanë të drejtën për të kërkuar nga qytetarët zbatimin e detyrimit, si dhe vendosjen e sanksioneve në rast të moszbatimit.
Cilat janë rastet në të cilat Konventa Evropiane e të Drejtave të Njeriut dhe Kushtetuta autorizon kufizimet në liritë e personave për shkak të përhapjes së një sëmundje infektive?
Sipas Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut, liritë e personave mund të kufizohen në rast se:
• Përhapja e sëmundjes infektive është e rrezikshme për sigurinë dhe shëndetin publik;
• Kufizimi i lirisë së një personi është një masë ekstreme ndaj përhapjes së sëmundjes, pasi masat e tjera më pak kufizuese nuk kanë rezultuar efektive për mbrojtjen e interesit publik.
Sipas Kushtetutës së RSH (neni 27, pika 2/d), “liria e personit mund të kufizohet sipas procedurave të parashikuara me ligj … kur personi është përhapës i një sëmundjeje ngjitëse …” ;
Cilat janë kushtet që duhet të ofrohen në një ambient karantinimi?
Nëse izolimi apo karantinimi kryhet në ambjente të posaçme të përcaktuara nga autoritetet shëndetësore, këto të fundit kanë detyrimin për të siguruar kushtet e hotelerisë, ushqimit, ujë të pijshëm, kushtet higjeno-sanitare, si dhe çdo nevojë tjetër bazike. Për personat e vendosur në karantinë duhet të sigurohet shërbim shëndetësor 24 orë, dhe kontroll periodik shëndetësor. Rregullat e veçanta për ngritjen dhe funksionimin e shërbimit të karantinës gjatë periudhës së pandemisë për shkak të përhapjes së Coronavirus në Shqipëri janë përcaktuar me Urdhër të ministrit përgjegjës për shëndetësinë.
Nëse vetë-izolimi kryhet në banesat e gjithësecilit qytetar, autoritetet shtetërore kanë detyrimin për të siguruar mosndëprerjen dhe ofrimin e vijueshëm të shërbimeve të furnizimit me ujë, energji elektrike, etj.
Personave të izoluar mund t’u nevojitet kujdes i veçantë shëndetësor, si dhe kujdes ndaj shëndetit mendor e gjendjes emocionale. Atyre duhet t’u sigurohet mbështetje e pandërprerë 24 orë në rrugë telefonike.
A mund të ankimohet personi ndaj vendimit për vendosjen në karantinë të detyruar?
Konventa Evropiane e të Drejtave të Njeriut dhe legjislacioni shqiptar parashikojnë të drejtën e ankimit ndaj vendimit për vendosjen në karantinë të detyrueshme, në rrugë gjyqësore.
Rëndësia e transparencës dhe aksesit të vazhdueshëm në informacion.
Aksesi në informacion dhe transparenca përgjatë gjithë kohës janë shumë të rëndësishme gjatë periudhës së pandemisë së coronavirusit. Institucioni i Avokatit të Popullit vlerëson se duhet rritur niveli i transparencës duke i dhënë mundësi qytetarëve që të kontaktojnë me institucionet që ofrojnë shërbime, qoftë në rrugë telefonike apo elektronike.
Autoritetet shtetërore janë përgjegjëse për publikimin e informacionit në një gjuhë të thjeshtë e të kuptueshme. Informacioni duhet të jetë i disponueshëm edhe për pakicat kombëtare, si dhe për personat me aftësi ndryshe. Po kështu është tepër e rëndësishme që informacioni të jetë i kuptueshëm për fëmijët. Për këtë qëllim, UNICEF ka publikuar disa këshilla.
Cili është kuptimi i gjendjes së emergjencës?
Gjendja e emergjencës është një masë e përkohshme e cila duhet të deklarohet nga Këshilli i Ministrave në përputhje me legjislacionin shqiptar, me qëllim mbrojtjen e shtetasve shqiptarë.
Në Repulikën e Shqipërisë, funksionimi i sistemit të mbrojtjes civile, duke përcaktuar përgjegjësitë e institucioneve dhe të strukturave të këtij sistemi, bashkëpunimin ndërkombëtar, të drejtat dhe detyrimet e shtetasve dhe të subjekteve private, edukimin, trajnimin dhe inspektimin në rastet e emergjencave, rregullohet nga ligji nr. Nr. 45/2019 “Për mbrojtjen civile”, i cili është një ligj që ka për qëllim zvogëlimin e riskut nga fatkeqësitë.
Një nga rastet e gjendjes së emergjencës, apo gjendjes së fatkeqësisë natyrore siç njihet nga legjislacioni shqiptar, janë sëmundjet infektive masive. Neni 3 pika 9 e këtij ligji parashikon se:
9. “Fatkeqësi natyrore” janё fatkeqësitë që shkaktohen nga dukuri natyrore ekstreme, që lidhen me tërmetet, përmbytjet dhe vërshimet e ujit, temperaturat ekstreme dhe të tejzgjatura, rrëshqitjet arkitektonike, ortekët, erërat e forta në tokë dhe në det, zjarret masive në pyje, sëmundjet infektive masive dhe dukuri të tjera që ndikojnë në jetën e njerëzve, gjënë e gjallë, pronën, trashëgiminë kulturore dhe mjedisin”
Në këtë rast, shteti shqiptar përgjigjet për dëmet që shkaktohen nga pasojat e fatkeqësisë natyrore, si edhe gjatë gjendjes së fatkeqësisë natyrore mund të vendosen dhe të zbatohen masa të jashtëzakonshme për përballimin dhe lehtësimin e pasojave të fatkeqësisë, ku përfshihen edhe kufizimet e disa prej të drejtave të qytetarëve.
Sipas nenit 19 të këtij ligji, është Komiteti Ndërministror i Emergjencave Civile, organi i cili koordinon burimet materiale dhe financiare për përballimin e krizës, si dhe vendos për mënyrën dhe procedurën e përdorimit të këtyre burimeve materiale dhe financiare.
Gjendja e fatkeqësisë natyrore deklarohet me vendim të Këshillit të Ministrave për një periudhë jo më të gjatë se 30 ditë dhe zgjatja e gjendjes së fatkeqësisë natyrore mund të bëhet vetëm me miratimin e Kuvendit.
Cili është roli/autoriteti i Avokatit të Popullit në këtë proces?
Institucioni i Avokatit të Popullit, si pararojë kushtetuese e garantimit për respektimin e standardeve më të larta të të drejtave të njeriut në vend po monitoron veprimet/mosveprimet e autoriteteve publike në kuadër të menaxhimit sa më efektiv të situatës së krijuar për shkak të përhapjes së sëmundjes COVID-19, si edhe merr në shqyrtim me inciativën e tij apo mbi bazën e ankesave, çdo rast që paraqitet, në përputhje me kompetencat e tij.
Për ankesa, shqetësime, vërejtje, sugjerime apo propozime të tjera që kanë të bëjnë me zhvillimet që lidhen me këtë gjendje, të gjithë qytetarët mund të kontaktojnë me institucionin e Avokatit të Popullit në postën elektronike në adresën: ap@avokatipopullit.gov.al, në numrin e telefonit: + 355 68 90 34 648, ose me ane të aplikacionit Avokati i Popullit.
Institucioni i Avokatit të Popullit siguron se do të vlerësojë me vëmendje maksimale çdo shqetësim që do të ngrihet, dhe do t’i trajtojë ato konform përcaktimeve të kushtetutës, ligjeve dhe akteve ndërkombëtre që kanë të bëjnë me këto çështje.
E tërë vëmendja jonë është për ju, dhe jemi duke u përpjekur për të garantuar edhe në këtë kohë të gjendjes së emergjencës shërbimet tona bazë.
***
U bëjmë thirrje të gjithë qytetarëve për të respektuar udhëzimet e dhëna nga autoritetet mjeksore e shtetërore, me qëllim shmangien sa më tepër që të jetë e mundur të rrezikut të përhapjes së sëmundjes COVID-19. Në kushtet aktuale, është mjaft e rëndësishme që çdokush të informohet drejtë mbi situatën e mënyrat e përballimit të saj nga burime zyrtare informacioni të cilat pasqyrojnë këshilla dhe informacione të publikuara nga Organizata Botërore e Shëndetësisë , si dhe agjenci serioze që ofrojnë mundësinë e eksplorimit të aktiviteteve dhe strategjive që mbështesin mirëqënien fizike e shpirtërore përgjatë distancimit social, karantinës dhe izolimit.
U bëjmë thirrje të gjithë autoriteteve shtetërore për respektimin e të drejtave të njeriut në një masë sa më të madhe, gjatë zbatimit të masave për parandalimin dhe eleminimin e përhapjes së pandemisë. Grupeve vulnerabël dhe atyre personave të cilët janë në rrezik apo të ekspozuar ndaj prekjes nga Coronavirus duhet t’u kushtohet një vëmendje e veçantë. Domosdoshmëria e marrjes së masave proporcionale dhe në respektim të të drejtave themelore të njeriut, veçanërisht për personat që i përkasin grupeve vulnerabël, grupeve në nevojë apo me aftësi ndryshe është theksuar më parë edhe nga autoritete të larta në fushën e mbrojtjes së të drejtave të njeriut, si Komisionerja e Lartë e OKB për të Drejtat e Njeriut znj. Michelle Bachelet ,dhe Komisionerja për të Drejtat e Njeriut në Këshillin e Europës, znj.Dunja Mijatoviç . Po kështu, një grup ekspertësh të Kombeve të Bashkuara i rekomandojnë autoriteteve shtetërore përkatëse që në masat që ndërmarrin të kenë në vëmendje respektimin e të drejtave të njeriut .
Vlerësojmë maksimalisht angazhimin e autoriteteve shtetërore, veçanërisht të autoriteteve shëndetësore dhe atyre të ruajtjes së rendit dhe sigurisë publike, si dhe theksojmë nevojën e domosdoshme për marrjen e masave të nevojshme për garantimin e mbrojtjes së shëndetit të personave që janë në krye të detyrës për parandalimin e përhapjes së pandemisë.
***
Institucioni i Avokatit të Popullit, i ndodhur si kurdoherë pranë gjithkujt në këto kohë të trazuara, dëshiron të shpresojë se të gjithë subjektet e shoqerisë shqiptare, shtetasit shqiptarë dhe të huajt që ndodhen në Shqipëri, aktorët shtetërorë dhe ata të shoqerisë civile, si dhe partnerët ndërkombëtarë, edhe pse të ndodhur në situata tejet të vështira, do të arrijnë që me qytetari, durim, vetëpërmbajtje e kulturë që në perputhje e në zbatim të parimeve dhe normave përkatëse të legjislacionit shqiptar dhe atij ndërkombëtar, t’iu bëjnë ballë kufizimeve për të shmangur pasojat e rënda.
Në emër të gjithë stafit të institucionit të Avokatit të Popullit urojmë shëndet të plotë për të gjithë POR VEÇANËRISHT PËR MJEKËT TANË!