27 Nëntor 2019

Ekip I Avokatit Te Popullit Kryen Inspektim Ne Durres


EKIP I AVOKATIT TE POPULLIT KRYEN INSPEKTIM NE DURRES

Pas tërmetit të datës 26.11.2019 që goditi kryesisht zonën perëndimore të vendit, institucioni i Avokatit të Popullit, ka organizuar monitorime në terren për të qënë sa më afër njerëzve në nevojë dhe për të konstatuar masat e ndërmarra nga ana e strukturave përkatëse shtetërore, në rrethanat e krijuara.

Më konkretisht në datën 27.11.2019, grupi i punës i përbërë prej Sekretarit të Përgjithshëm dhe dy ndihmëskomisionerë, kanë shkuar në paraditen e kësaj date në qytetin e Durrësit. Ky grup ka monitoruar në tërësi gjendjen e krijuar në një hark kohor monitorimi prej pothuaj 6 orësh në këtë qytet.

Monitorimi ka filluar me verifikimin e kushteve dhe të organizimit të punës në kampin e krijuar pranë ambienteve të stadiumit të futbollit “Niko Dovana”, të qytetit të Durrësit. Në këto ambiente është vërejtuar një dyndje në dinamikë e banorëve të këtij qyteti, të cilët ishin akomoduar në çadra. Brenda çadrave është konstatuar se kishte krevatë portative, sikundër kishte raste që në mungesë të krevatëve gjendeshin dyshekë të vendosur direkt në tapetin plastik të ambientit ku ishin vendosur çadrat. Nga kontaktet e marra më përfaqësues të institucioneve shtetërore (Ministria e Infrastrukturës dhe Energjitikës), na është komunikuar që brenda kësaj dite, duke filluar nga ora 5 pasdite do të fillonte akomodimi i individëve të strehuar në çadra, në hotelet e bregdetit të Durrësit.

Gjatë kohës së qëndrimit në këtë kamp kemi konstatuar prezencë të forcave të Policisë së Shtetit dhe të Policisë së Kosovës, për ruajtjen e rendit, si dhe struktura shtetërore (Emergjencat Civile) apo edhe individë private që ofronin dhe shpërndanin falas ushqim dhe veshmbathje për individët e strehuar në çadra.

Janë marrë kontakte edhe me individë të strehuar në çadra, të cilët kanë qënë të traumatizuar për gjendjen që po kalonin duke na konfirmuar gjithashtu edhe trajtimin në kamp me nevojat e tyre bazike nga ana e strukturave shtetërore dhe jo vetëm. Kontakte janë marrë edhe me përfaqësues të shoqatave bamirëse, OJF-ve të ndryshme apo edhe individëve privatë që ofronin ndihmën e tyre ndaj të strhuarve në kamp. Vërehej një lloj konfuzioni në ambientet rreth kampit dhe kjo për arsyen se kishte një fluks të shtuar të individëve apo subjekteve private, që ofronin ndihma, sikundër kishte shumë banorë që hynin dhe dilnin nga ambientet e kampit.

Pas kësaj është kryer edhe një vëzhgim i shpejtë në disa zona të qytetit të Durrësit, për të konstatuar me aq sa mundej dëmet e shkaktuara nga tërmeti.