Avokati I Popullit Bën Thirrje Për Rritje Të Angazhimit Ndaj Personave Me Aftësi Të Kufizuara
Avokati i Popullit, në përmbushje të detyrave kushtetuese, si mbrojtës i të drejtave dhe lirive të njeriut dhe nxitës i standarteve më të larta të këtyre të drejtave, me rastin e 3 Dhjetorit, Ditës Ndërkombëtare të Personave me Aftësi të Kufizuar, sjell në vëmendjen e institucioneve shtetërore, qëndrore dhe vendore, nevojën për angazhim më të madh dhe përparësimin e problematikave me të cilat ndeshen personat me aftësi të kufizuara në vendin tonë.
Mungesa e qasjes në mjedise publike dhe private, në marrjen e infomacionit, aksesit në drejtësi, moszbatimi i dispozitave ligjore për punësimin e personave me aftësi të kufizuar, moszbatimi i rimbursimit të biletës në transportin urban, janë disa nga problematikat që ka ndeshur kjo kategori. Për fëmijët dhe të rinjtë me aftësi të kufizuara është domosdoshmëri asistenca e mesuesve ndihmës, por edhe e mjeteve didaktike të posaçme.
Institucioni i Avokatit të Popullit, u ka kërkuar vazhdimisht të gjithë strukturave shtetërore të angazhohen maksimalisht e të kenë prioritet çështjen e personave me aftësi të kufizuara, pasi ato mbeten ndër shtresat më të margjinalizuara në shoqërinë shqiptare.
Nxitja e pjesëmarrjes aktive të vetë personave me aftësi të kufizuara dhe përfaqësuesve të tyre, në të gjithë proceset e hartimit dhe zbatimit të legjislacionit dhe të politikave sociale bashkëkohore, duhet t’i shërbejë përgatitjes së personave me aftësi të kufizuara për një jetesë të pavarur dhe me dinjitet.
Të vijojmë të promovojmë, nxisim dhe zbatojmë Konventën e Kombeve të Bashkuara për të Drejtat e Personave me Aftësi të Kufizuar “...duke pranuar se, aftësia e kufizuar është një koncept që evoluon dhe se aftësia e kufizuar rezulton nga ndërveprimi ndërmjet personave me aftësi të kufizuar dhe barrierave të qëndrimit/mentalitetit dhe ambjentit që pengojnë pjesëmarrjen e tyre të plotë dhe efektive në shoqëri në bazë të barabartë me të tjerët”.
Të drejtat e personave me aftësi të kufizuara janë jo vetëm të drejta natyrore të tyre, por respektimi i tyre në praktikë është një tregues emancipimi dhe zhvillimi i shoqërisë shqiptare.