19 Dhjetor 2018

Avokati I Popullit Dënon Kërcënimet Ndaj Gazetarit Ylli Rakipi Dhe Klimën Intimiduese Ndaj Punonjësve Të Medias


Avokati i Popullit dënon kërcënimet ndaj gazetarit Ylli Rakipi dhe klimën intimiduese ndaj punonjësve të medias

 

Institucioni i Avokatit të Popullit bën thirrje që sa më shpejt të zbardhen rrethanat, autorët dhe frymëzuesit e kërcënimeve të denoncuara nga gazetari dhe moderatori Ylli Rakipi. Brenda pak muajsh kjo është hera e disatë që punonjës të medias bëhen shënjestër e sulmeve, kërcënimeve apo intimidimeve.

Avokati i Popullit gjen me vend të tërheqë vëmendjen e autoriteteve për adresimin e klimës tepër shqetësuese të frikësimit që po ushtrohet në mënyrë të përsëritur kundrejt gazetarëve, apo punonjësve të tjerë të sektorit të informimit publik në Shqipëri.

Kjo atmosferë e cila ushqehet nga gjuha e urrejtjes dhe e përbuzjes, që në disa raste manifestohet edhe nga përfaqësues të institucioneve shtetërore më të larta ndaj punonjësve të medias, mund ta shndërrojë punën e gazetarëve në vendin tonë, në një profesion me rrezikshmëri të lartë.

Kërcënimet ndaj Ylli Rakipit, aktualisht drejtues i një programi televiziv kritik ndaj aspekteve të ndryshme të punës së zyrtarëve shtëtërorë dhe jo vetëm, janë një tjetër sinjal i zhurmshëm që na dëfton se gazetarët vazhdojnë të jenë të ekspozuar ndaj formave të ndryshme të presionit, për t’i detyruar ata të heshtin.

Institucioni i Avokatit të Popullit çmon se demokracia jonë ka nevojë të panegociueshme për frymëmarrje të lirë të informimit të publikut, duke përfshirë këtu edhe aspektet investigative, analizuese apo kritikuese të këtij sektori.

Me besimin se institucionet përkatëse shtetërore, do të trajtojnë me vëmendjen e duhur këtë çështje, Avokati i Popullit shpreh edhe një herë mbështetjen për të gjithë ata gazetarë, që me ndergjegjie, kurajë dhe profesionalizëm kryejnë çdo ditë punën e tyre.